U kap me 1 mln euro në doganën e Kosovës, Standardet Profesionale marrin vendimin për efektivin e Policisë Tiranë duke e pezulluar dhe kaluar për hetime nga AMP.
Policia e Shtetit ka dhënë sot detaje për masat ndëshkimore ndaj Aurel Kaziut, efektivit të Komisariatit nr. 5 Tiranë, që u kap dje në pikën doganore të Merdares në Kosovë, duke kaluar 1 mln euro të padeklaruara.
Masë edhe për një punonjës të dytë të repartit “Shqiponja”, pasi akuzohet se dhunoi një të shoqëruar në Stacionin e Patosit, pasi i kishte ofenduar bashkëshorten punonjëse marketi gjatë një konflikti me persona të tjerë.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezullon nga detyra pas nisjes së hetimeve disiplinore për: punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmës-specialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për shkelje të nenit 121, pika 2, germa “b”, “Përdorimi i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, dhe germa “dh”, “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftim.
Më tej sqarohet edhe dinamika:
“Më datë 24.02.2026, shtetasi A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni”.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se 28-vjeçari është larguar në drejtim të Kosovës pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte 2 ditë pushimi, duke mos njoftuar fare eprorët e tij për daljen jashtë kufijve.
Ai prej rreth 3 vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa edhe më herët është marrë me transport të mallrave nga Shqipëri në vende të Evropës dhe Britani të Madhe, dhe anasjelltas, te emigrantët shqiptarë atje.
Sasia e konsiderueshme e parave që iu sekuestrua prej 1 milion eurosh, dyshohet se mund t’i përkas tjetër kujt, të ardhura nga aktivitetet kriminale, dhe Kaziu e 2 personat e tjerë po i sillnin në mënyrë të paligjshme.
Goditi të shoqëruarin pse i ofendoi gruan punonjëse të marketit, peuzllim dhe për policin e “Shqiponja”, heton edhe AMP
Edhe një efektiv policie i repartit “Shqiponja” në Fier është pezulluar nga detyra për cenim të figurës nëpërmjet veprimeve të tij.
Policia e Shtetit njoftoi sot (25 shkurt) se ka marrë masën e pezullimit ndaj punonjësit K.Gj., trupë shërbimi në Komisariatin e Fierit, për incidentin e datës 21 shkurt.
Sipas njoftimit zyrtar sqarohet se përveç pezullimit, ka nisur edhe hetim disiplinor për të. Efektivi akuzohet se ka goditur në ambientet e Stacionit të Patosit një person të shoqëruar, për shkak se i kishte ofenduar bashkëshorten punonjëse të një marketi në qytet, gjatë një konflikti që ai kishte pasur me persona të tjerë.
“Pezullim dhe hetim disiplinor për punonjësin e Policisë, Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, për shkelje të nenit 121, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”. Më datë 21.02.2026, dyshohet se shtetasi K. Gj. ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, me pretendimin se i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona dhe gjatë konfliktit, kishte ofenduar bashkëshorten e shtetasit K. Gj., e cila ishte punonjëse e marketit”, bëri me dije policia.
Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj tij.


