Zëdhënësja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë(LSDM), Bogdanka Kuzeska, ka deklaruar se para rreth një muaji, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka njoftuar se ia ka dorëzuar pëlqimin shtetëror konsullit të nderit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Serbisë, Dushan Adamoviq. Kuzeska ka ngritur pikëpyetjen se kush është Dushan Adamoviq dhe pse pikërisht ai është zgjedhur për konsull nderi?.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-së
‘’Në platformën X mund të gjenden postime të vjetra të Adamoviqit ku ai thotë, citoj ‘Maqedonia serbe’ ka qenë e pushtuar. Kjo është një skandal më vete, por vazhdojmë më tej. Adamoviq është funksionar i lartë i Partisë Progresive Serbe, parti simotër e VMRO-OKG-së, dhe i afërt me Aleksandar Vuçiq. Ka qenë anëtar i Bordit Ekzekutiv të SNS-së, koordinator për Sremin dhe koordinator për Banatin e Jugut. Në mediat në Serbi ka informacione skandaloze për shumë afera që lidhen me të. Në vitin 2019, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Zoran Zhivkoviq, publikoi se Dushan Adamoviq është pjesë e një grupi që merrej me tregti armësh’’.
Kuzeska theksoi se mediumi serb Vesti ka raportuar se në vitin 2008, në moshën 24-vjeçare, është qëlluar në këmbë sepse kishte borxhe. Dhe sipas Kuzeskës ka mbijetuar një sulm me bombë në vitin 2006, ku dhe është arrestuar edhe për vepra të tjera penale. Shumë afera me prapavijë kriminale lidhen me të.
Ajo parashtron pyetje se a e kanë kontrolluar shërbimet maqedonase të sigurisë apo Hristijan Mickoski ka lobuar personalisht për të?. Kuzeska i bën thirrje kryeministrit Mickoski të dalë dhe të përgjigjet, se si nga kaq shumë biznesmenë të respektuar në Serbi, qeveria e ka zgjedhur Adamoviqin për konsull nderi të Maqedonisë.
/SHENJA/


