Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, priti në një takim zyrtar Halil Bexhetin, Konsull Nderi të Maqedonisë së Veriut në Bursa të Turqisë, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë takimit u zhvillua një bisedë konstruktive mbi forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe institucionale ndërmjet Dibrës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Theks i veçantë iu kushtua projekteve dhe iniciativave që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal dhe promovimin e qytetit.
“Kemi diskutuar për mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha të ndryshme, me qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe institucionale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dibrës.
Po ashtu, palët kanë shqyrtuar iniciativa të përbashkëta që synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme.
“Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e nismave që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor”, theksohet më tej.
Në përfundim, u vlerësua rëndësia e ndërtimit të urave të qëndrueshme bashkëpunimi në interes të qytetarëve të Dibrës dhe të partnerëve ndërkombëtarë.


