Profesoresha Maja Stevanoviç, në emisionin e sonte “Win-Win”, thekson se ligji i ri krijon dispozita të padrejta që favorizojnë aftësinë financiare mbi meritat akademike.
”Dikush dëshiron të bëjë spastrim midis asistentëve dhe punonjësve për të liruar vend për dikë tjetër.Kjo është ndjesia ime. Një dispozitë absolutisht e padrejtë. Për disa të vlejë shtyrja [e afatit], ndërsa për më të rrezikuarit të mos vlejë,” shpjegon Stevanoviç.
Ajo shton se kërkesat për publikimin e punimeve në Web of Science krijojnë barriera financiare: “Botimi i një punimi dhe redaktimi kushton nga 2 deri në 3 mijë euro.”
Sipas kësaj, vlerësohet se ai që ka para mund të bëhet profesor, ndërsa ai që nuk ka, do të duhet ta kërkojë karrierën e tij diku tjetër. Stevanoviç thotë se dispozita të tilla mund të dëmtojnë autonominë akademike dhe të favorizojnë vetëm ata me mjete financiare, në vend që të vlerësojnë punën reale shkencore.


