Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje televizive njoftoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë kundër 10 personave. Për këta persona ekzistojnë dyshime të bazuara se janë të lidhur me prodhimin e paligjshëm dhe lëshimin në qarkullim të drogave narkotike, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Dy nga të dyshuarit tashmë ndodhen në paraburgim 48-orësh. Hetimi që po udhëhiqet nga MPB në koordinim me Prokurorinë është i lidhur edhe me drogën e gjetur në Serbinë fqinje, për të cilën ekzistojnë indikacione se e ka origjinën nga kapacitetet prodhuese të të ashtuquajturit kanabis mjekësor në vendin tonë.
Ministri Toshkovski, në emisionin “Click Plus”, theksoi se kallëzimi penal është rezultat i një hetimi të gjerë dhe aktiviteteve të ndërmarra në periudhën e kaluar.
“Në këtë fazë të hetimit është dorëzuar kallëzim penal për 10 persona për të cilët kemi dyshime të bazuara se janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me prodhimin e paligjshëm dhe lëshimin në qarkullim të drogës së prodhuar,” vuri në dukje ministri.
Në kuadër të kontrolleve të kryera në kapacitetet prodhuese në mbarë vendin, janë sekuestruar rreth 40 tonë marihuanë, për të cilën komisioni kompetent ka konstatuar se nuk është trajtuar sipas rregulloreve ligjore.
“Indikacionet që kishim për prodhim, trajtim dhe ruajtje të paligjshme rezultuan të sakta dhe droga e gjetur, për të cilën u vërtetua se nuk është trajtuar sipas ligjit, është sekuestruar,” theksoi Toshkovski.
Ai potencoi se kontrollet treguan se një pjesë e kompanive punonin tërësisht në mënyrë ligjore dhe profesionale, por te një pjesë tjetër u vërtetuan paligjshmëri serioze.
“Shtrohet pyetja se ku do të përfundonin ato 40 tonë drogë sikur të mos i sekuestronim,” deklaroi ministri.
Lidhur me rastin e sekuestrimit në Serbi, Toshkovski theksoi se ekzistojnë prova që sugjerojnë se droga ka hyrë nga Maqedonia dhe se hetimi po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organet kompetente serbe. Ai sqaroi se çështja thelbësore është se si ajo sasi droge ka hyrë në territorin e Serbisë, duke pasur parasysh sistemin “One Stop Shop” në kufi. Sipas tij, policia maqedonase kontrollon hyrjen në Maqedoni, ndërsa policia serbe kontrollon hyrjen në Serbi. “Pra, pyetja nuk është se si doli nga Maqedonia, por si hyri në Serbi,” tha ai.
Paralelisht, Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe komisionin përkatës që, në bashkëpunim me MPB-në, të kryejnë kontrolle në të gjitha kapacitetet e licencuara të prodhimit, me qëllim sanksionimin e të gjitha paligjshmërive.
”Duhet ta vërtetojmë sa më shpejt gjendjen faktike dhe ta ndalim gjendjen kaotike që trashëguam,” nënvizoi Toshkovski.


