Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dhënë pretencën për 7 të pandehurit e dosjes 5D, mes tyre edhe ish drejtorët e bashkisë Tiranë.
Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin Mariglen Qaton dhe 4 vite për Taulant Tushen.
Po ashtu tre ish drejtorët e Bashkisë, Molla, Qato dhe Tushe kanë edhe dënim plotësues, 5 vjet heqje të drejtës për ushtrim të funksioneve publike.
Ndërkohë për të pandehurit e tjera, Enton Punavija dhe Julian Zanaj SPAK ka kërkuar secilit 3 vite burg, për Alban Jankun 2 vite burg dhe për Nestor Muhametllari 7 vjet heqje lirie.
Hetimet
Çështja Penale në ngarkim të Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe pesë të pandehurve të tjerë është regjistruar për veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv, mosdeklarime, deklarime të rreme apo fshehje të pasurive, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, është provuar se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato si ish-drejtor i departamentit mbështetës në këtë shoqëri dhe në cilësinë e ish-kryeinspektorit të IKMT në Bashkinë Tiranë, kanë qënë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k., të cilën e kanë zotëruar në mënyrë indirekte dhe e kanë përdorur për të vjelë fondet publike në mënyrë të paligjshme e për pastrimin e parave.
Të pandehurit e tjerë, Taulant Tusha, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të KVO, si dhe anëtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku, akuzohen se kanë favorizuar shoqërinë 5D në 3 tendera të Bashkisë Tiranë.
Nga ekspertimi i kryer, ka rezultuar se 5D ka përfituar më shumë se 192.7 milionë lekë nga 12 tendera të zhvilluara në mënyrë të kundërligjshme. Gjithashtu, nga zbatimi këtyre kontratave janë nxjerrë fitime monetare nga kjo shoqëri e zotëruar nga Molla dhe Qato.


