Këshilli i Prokurorëve Publikë sot duhet të mbajë seancën e 38-të, në rendin e ditës së së cilës është vetëm një pikë, dhënia e mendimit për Qeverinë e RMV-së lidhur me propozimin për emërimin e kryeprokurorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Këshilli i Prokurorëve Publikë, në përputhje me afatet ligjore, duhet brenda 15 ditëve të japë mendim pozitiv ose negativ për Qeverinë, pas çka ajo i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.
Qeveria, në mbledhjen e 3 shkurtit, miratoi konkluzion lidhur me pesë kandidatët për prokuror publik dhe, në përputhje me dispozitat ligjore, i dorëzoi te Këshilli i Prokurorëve Publikë, pasi që më herët Kuvendi e kishte informuar Qeverinë për përfundimin e shpalljes dhe i kishte dorëzuar listën e kandidatëve.
Nga shërbimi për shtyp i Kuvendit nuk i zbuluan emrat e kandidatëve, por siç konfirmuan vetë disa nga të paraqiturit, bëhet fjalë për ish-kryetarin e Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, ushtruesen aktuale të detyrës së Prokurorit Publik të Shtetit, Anita Topollova-Isajllovska, prokuroren Lençe Ristovska-ish-anëtare e PSP-së së Katica Janevës, gjyqtarin e Gjykatës Penale Nenad Savevski dhe prokuroren nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Njëri nga pesë të paraqiturit pritet ta zëvendësojë Ljupço Kocevskin, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në vend të tij si ushtruese detyre e prokurorit publik të shtetit erdhi prokurorja Topollova-Isajllovska, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më gjatë se gjashtë muaj.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit filloi me shpalljen që e publikoi Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë përvojë të pandërprerë pune prej së paku 10 vjetësh si prokurorë publikë ose gjyqtarë nga fusha e së drejtës penale.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas paraqitjes, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i obliguar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda 15 ditësh. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri. Me 61 vota të deputetëve duhet të zgjidhet prokurori i ri publik i shtetit.


