Mosnjohja e faktit se avancimi i euros dixhitale është tashmë thelbësor po e dëmton Evropën. Kështu deklaroi të hënën Lars Klingbeil, zëvendëskancelar dhe ministër i Financave i Gjermanisë, përpara takimit të ministrave të eurozonës në Bruksel.
Euroja dixhitale, një propozim legjislativ që po diskutohet mes institucioneve të Bashkimit Evropian, aktualisht është bllokuar në Parlamentin Evropian, ku eurodeputetët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje.
“E tëra që mund të them është se kushdo që, në këtë situatë, nuk e ka kuptuar se tani është thelbësore të përparojë euro dixhitale sa më shpejt të jetë e mundur, nuk po i shërben Evropës, por po e dëmton atë”, tha Klingbeil.
Debati në Parlamentin Evropian
Eurodeputeti spanjoll i qendrës së djathtë, Fernando Navarrete, nga Partia Popullore Evropiane (PPE), i cili po udhëheq punën mbi këtë dosje, ka propozuar një dizajn të ri për euron dixhitale që do të zvogëlonte ndjeshëm fushëveprimin e saj krahasuar me propozimin fillestar të Komisionit Evropian.
PPE mbetet e ndarë për këtë çështje, ndërsa delegacioni gjerman është hapur pro projektit. Nëse Parlamenti nuk arrin një qëndrim të përbashkët, legjislacioni nuk do të mund të ecë përpara.
Çfarë është euroja dixhitale?
Euroja dixhitale do të ishte një formë elektronike e parave të gatshme, e lëshuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), që do të shërbente si një mjet shtesë pagese përkrah parave fizike dhe kartave bankare.
“Ne duam ta çojmë përpara euron dixhitale sepse është e rëndësishme për sovranitetin e kontinentit tonë, por paratë e gatshme, sigurisht, do të mbeten”, theksoi Klingbeil.
Sipas propozimit të Komisionit, euroja dixhitale do të përfshinte një portofol dixhital të përdorshëm si online ashtu edhe offline, me pagesa që nuk do të gjurmoheshin. Ndryshe nga pagesat me karta, që konsiderohen “private”, euroja dixhitale do t’u mundësonte qytetarëve përdorimin e drejtpërdrejtë të parave dixhitale “publike”.
Rëndësia e projektit është rritur mes tensioneve ekonomike mes BE-së dhe SHBA-së, pasi do të ofronte një alternativë ndaj sistemeve amerikane të pagesave si Visa dhe Mastercard.
Sipas të dhënave të BQE-së për vitin 2025, Visa dhe Mastercard përbëjnë 61% të pagesave me karta në Evropë dhe pothuajse 100% të atyre ndërkufitare.
Peter Norwood nga organizata Finance Watch deklaroi për Euronews se varësia nga kompani amerikane u jep aktorëve të huaj ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë evropiane. Sipas tij, një euro dixhitale e projektuar siç duhet do të siguronte kosto më të ulëta, mbrojtje të privatësisë dhe kontroll evropian mbi infrastrukturën kritike të pagesave.
Megjithatë, në versionin e propozuar nga Navarrete, euroja dixhitale nuk do të funksiononte si alternativë e drejtpërdrejtë ndaj Visa-s dhe Mastercard.
Parlamenti Evropian pritet të votojë për këtë çështje në maj. Nëse legjislacioni miratohet, do të nisin negociatat mes Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së.


