Profesori universitar Mersel Bilalli deklaroi sonte në emisionin “Debat në SHENJA” se shqiptarët në institucione vazhdojnë të përballen me një ndjenjë të trajtimit jo të barabartë, duke theksuar se shpesh perceptohen si qytetarë të dorës së dytë.
Sipas tij, ndonëse ka raste individuale suksesi në nivel lokal, në përgjithësi mungon organizimi dhe qasja e duhur institucionale.
“Individualisht mendoj se ka suksese, për shembull në Tetovë si kryetar komune mund të thuhet që ka suksese, por në përgjithësi mendoj se nuk janë të organizuar si duhet. Është krijuar një defanzivë dhe një ndjenjë te popullata se ne jemi qytetarë të dorës së dytë. Këtë mund ta ndjeni në çdo institucion kur shkoni, nga trajtimi dhe respekti. Nuk e keni atë respekt që e keni pasur më herët”, deklaroi Bilalli.
Ai bëri edhe një krahasim mes qasjeve politike, duke theksuar se logjika e LSDM-së ka qenë ndryshe, ndërsa ajo e VMRO-DPMNE, sipas tij, paraqitet më e vështirë për t’u kuptuar.
“Logjika e LSDM-së ka qenë pak më ndryshe, ndërsa kjo e VMRO-së pak e çuditshme. E kam vështirë edhe unë të adaptohem në logjikën e tyre”, u shpreh Bilalli. /SHENJA/


