Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se SHBA dhe RMV kanë arritur Marrëveshje korrnizë për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar, që synon avancimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe zgjerimin e qasjes së eksportuesve në tregjet e të dy vendeve. Deklarata thotë se marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin tregtar, do të mbështesë interesat e përbashkëta strategjike, do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të thellojë partneritetin transatlantik midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Një nga pikat kryesore përcakton që Maqedonia e Veriut do të eliminojë tarifat doganore për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore të SHBA-së të eksportuara në tregun maqedonas.
DASH
“Shtetet e Bashkuara do të mbajnë normën reciproke të tarifës prej 15 përqind për produktet me origjinë nga Maqedonia e Veriut, në përputhje me urdhrat ekzekutivë të lëshuar më parë, por gjithashtu do të identifikojnë produkte të caktuara që do të marrin një normë tarifore zero”.
Të dyja palët lënë hapësirë për ndryshime shtesë tarifore pasi marrëveshja të finalizohet.
Kjo Deklaratë sipas kryeministrit Hristijan Mickoskit, përfaqëson një sinjal të qartë për thellimin e partneritetit strategjik dhe konfirmim të mbështetjes së fortë që Maqedonia gëzon nga Shtetet e Bashkuara.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Me këto hapa, ne po forcojmë pozicionin e Maqedonisë si një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm, duke ndërtuar një ekonomi me një standard më të lartë dhe duke avancuar pozicionin tonë ndërkombëtar. Kjo është një politikë me rezultate konkrete”.
Mickoski në facebook ka shkruar se po takohet me përfaqësues të kompanive të fuqishme, po bisedojnë për planet e tyre të zgjerimit dhe po hapin dyert që edhe kompani të vendit tonë të plasojnë produkte në zinxhirin e marketeve të mëdha evropiane.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


