Izet Mexhiti ka deklaruar se nuk ka vend për shqetësim, kur bëhet fjalë për propozim ligjin e ri për Arsimin e Lartë. Mexhiti tha se procesi po ndiqet në dy nivele, atë politik dhe atë akademik dhe se asnjë vendim nuk do të merret pa pëlqimin e plotë të palës shqiptare dhe ekspertëve akademikë. Sipas tij, qëllimi parësor i kësaj reforme mbetet rritja e standardeve akademike, gjë që do të krijojë diploma më të fuqishme dhe më të njohura ndërkombëtarisht për gjeneratat e reja.
“Duhet ta kemi parasysh që ligji në fund sillet me badenter dhe patjetër të ketë pëlqimin e palës shqiptare dhe duhet të jetë në interes edhe të universiteteve shqiptare. Mendoj që në esencë Ligji pretendon për rritjen e kualitetit në arsimin e lartë dhe këtu e përshëndesim. Ne jemi që të rriten standardet, të rritet kualiteti sepse në fund ajo është vlerë për fëmijët tanë të cilët nesër do të dalin studentë nga aty dhe do të kenë një diplomë më të verifikuar, më të njohur dhe me vlera më të larta. Nuk ka nevojë për brengosje, edhe si përfaqësues politik edhe në nivel akademik po I bëjmë analizat në detaje dhe ligji do të jetë në frymën e ngritjes së kualitetit për të gjitha universitetet dhe arsimin e lartë në tërësi pa diskriminuar asnjë universitet”, deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i LD-së, VLEN.
Sipas dikasterit të Arsimit, rritja e cilësisë dhe kritere më të forta akademike janë ndër pikat më diskutuara të ligjit të ri. Çdo profesor do të jetë i detyruar të ketë nga 6 deri në 7 punime shkencore përpara zgjedhjes në titull, prej të cilave 3 ose 4 duhet të jenë të publikuara në revista me faktor impakti. Ndryshimet parashikohen në organizimin dhe financimin e universiteteve. Studentët që kanë studiuar në njërin nga 100 universitetet më të mira botërore me bursa shtetërore do të kenë përparësi punësimi në universitetet shtetërore. Mandati i rektorëve kthehet në 4 vite nga 3 që është aktualisht dhe ndryshon modeli i zgjedhjes së tyre. Propozim ligji i ri u kritikua edhe nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Sipas Forumit, Qeveria po kërkon të marrë në dorë universitetet, duke kontrolluar statutet e tyre, gjë që e quan kundër Kushtetutës. Gjithashtu, Forumi akuzon se ligji vendos kritere të forta për profesorët e rinj, por i fal ata që janë tashmë në punë. Madje ata thonë se ky ligj përveç se po bëhet për të mbrojtur profesorët po i hap rrugë edhe nepotizmit, duke dëmtuar rëndë cilësinë në fakultete. /Alsat.mk


