EMISIONI VETTING
Dokumentet zyrtare tregojnë se kompania shtetërore Koorporata Shqiptare e Investimeve, e cila duhet të kujdeset për projektin ka probleme me menaxhimin e fondeve publike dhe është një bombë financiare institucionale që pritet të shpërthejë nga momenti në moment.
Mënyra se si përdor fondet publike, mungesa e transparencë dhe dhënia e parave publike sipas vendimeve nga drejtuesja Elira Kokona dhe jo sipas ligjit, tregojnë për pasoja serioze mbi pasurinë publike.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se Koorporata ka funksionuar me mangësi të rënda në menaxhimin e parave publike dhe në mënyrën se si ka marrë vendimet. Sipas auditit, projektet janë nisur pa analiza të plota se sa kushtojnë, çfarë rreziku kanë dhe çfarë përfitimi sjellin për ekonominë. Kjo gjë tregon se vendimmarrja mbështetet më shumë në parashikime të përgjithshme sesa në fakte konkrete. Në disa raste janë shpenzuar fonde për studime dhe konsulenca, por projektet janë ndërprerë ose nuk kanë avancuar, duke lënë pas shpenzime pa rezultat.
Një nga rastet më problematike lidhet me dhënien e një huaje prej 2 miliardë lekësh për Albcontrol, për të mbuluar faktin që Albcontrol ka patur probleme me fondet, por edhe me pasojat që i kanë sjellë vendimet e qeverisë shqiptare me gjyqet ndërkombëtare. Kjo pasi pagesa lidhet me çështjen gjyqësore ndërkombëtare Bechetti, gjë e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me qëllimin e Korporatës dhe që ka ekspozuar fondet e saj ndaj rrezikut, pasi huaja nuk është kthyer brenda afatit dhe është shtyrë. Në raport theksohet se dokumentacioni financiar ka qenë problematik, me vonesa në dorëzimin e pasqyrave financiare dhe deklaratave tatimore, si dhe me mospërputhje dhe versione të ndryshme për të njëjtat periudha, duke krijuar paqartësi dhe rrezik për penalitete ligjore.
Sipas ekspertit Ceko, në Shqipëri askush nuk është në vendin e vet dhe ky është problem i vendit tonë.
“Nëse ka një diferencë të madhe midis Shqipërisë dhe BE-së, ku duam të shkojmë është që BE ka standardet dhe pastaj ligjin. Në Shqipëri, ligji është mbi standardet dhe ligjin e bën Maliqi”, u shpreh eksperti i ekonomisë Enriko Ceko.
Sipas auditit, kontrolli i brendshëm rezulton i dobët, me mungesë rregulloresh të qarta, strategjie për menaxhimin e riskut dhe ndarje të saktë përgjegjësish mes drejtuesve dhe stafit financiar. Po ashtu, janë evidentuar probleme në funksionimin e organeve drejtuese, përfshirë mungesë dokumentesh që vërtetojnë përmbushjen e kritereve nga anëtarë të këshillit mbikëqyrës, vakanca në drejtim dhe pagesa të paqarta për disa funksione. Në tërësi, Kontrolli i Lartë i Shtetit përshkruan një institucion që ka vepruar pa disiplinë financiare, me vendime të pambështetura si duhet dhe me rrezik të vazhdueshëm për keqmenaxhim të fondeve publike.
Teksa raporti flet për një kaos total në administrimin e Koorporatës nga Elira Kokona, kjo e fundit tashmë ka në dorë edhe parkun teknologjik, që është në shënjestër të Prokurorisë së Posaçme.
“Durana Tech Park” u prezantua si simbol i inovacionit, por deri më tani, ajo që rezulton është një projekt që favorizon persona të lidhur me aktivetet kriminale, cënimin e sigurisë kombëtare dhe persona të lidhur me zyrtarë të lartë.


