Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, ka dalë publikisht në mbështetje të Bilall Kasamit, duke e cilësuar kauzën e tij si të drejtë dhe në të mirë të shqiptarëve.
Në deklaratën e tij, Ramadani theksoi se Kasamin e njeh si një njeri që “nuk shantazhohet dhe i përulet vetëm Zotit”, duke lënë të kuptohet se mbështetja e tij vjen mbi bazën e integritetit dhe qëndrueshmërisë që, sipas tij, e karakterizon kreun e Tetovës.
Megjithatë, kjo përkrahje nuk ka kaluar pa reagime. Drejtuesi i portalit TetovaSot, Rami Mislimi i është kundërpërgjigjur ashpër Ramadanit, duke i kujtuar zhvillimet gjatë zgjedhjeve lokale, raporton Almakos.
“Bilall Kasami të shiti në zgjedhje, publikisht u reshtua kundër teje! Paske harruar se si u shit?”, ka shkruar ai, duke vënë në pikëpyetje arsyet e kësaj mbështetjeje.
Përplasja e deklaratave ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë sqarime apo kundërpërgjigje të tjera nga palët e përfshira.



