Në një kryeqytet që premton standarde europiane, banorët e Hasanbegut në Shkup jetojnë prej dekadash pranë një kanali të hapur me fekale. Era e rëndë, ndotja dhe rreziku për shëndetin janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Qytetarët thonë se kjo gjendje është e tmershme dhe se institucionet kanë heshtur për vite me radhë. Premtimet politike kanë mbetur vetëm fjalë, ndërsa problemi vazhdon të thellohet. Në vazhdim, banoret theksojnë se kjo gjendje është skandaloze dhe se janë të neglizhuar për vite me radhë ku madje edhe pas shumë ankesave të shkruar përsëri nuk meret parasysh asgjë.
BURIM SADIKI, BANOR
“Imagjino të jesh në kryeqytet të vendit, të europës, unë për vete jam lind dhe jam ritur në Austri dhe të vish këtu të shikosh këto ujëra të zeza, tani për momentin është dimër dhe nuk vjen era, pak, po në verë kur të dalësh këtu jashtë nuk rihet, nuk rihet”.
Tutje ai thotë se e habit fakti që një lagje më poshtë si Stajkovci e kanë kanalin e ndërtuar dhe nuk kanë një problem të tillë, ndryshe prej Hasanbegut. Ai tha se synimet e Maqedonisë së Veriut janë që të hyjnë në europë por po ta shikojë një europian këtë gjendje, merr fund kjo çështje.
BURIM SADIKI, BANOR
“Për mua është e çuditshme se në Stajkovc, një lagje pak më andej, aty është kanali i ndërtuar , atje ka minioritet shqipëtar por më shumë që jetojnë maqedonasit, aty kur të shkosh është shumë më ndryshe se tek ne. Për këtu mundem të them ujërate zeza shkaktojnë edhe sëmundje”.
Ndërkaq një tjetër qytetar pohon se prej këtij kanali të paregulluar 3, 4 fëmijë janë sëmurë rëndë dhe janë detyrauar që të trajtohen jashtë shteti, dhe ende askush nuk mer masa për ta rregulluar. Ai theksoi se para zgjedhjeve u janë dhënë shumë premtime por se tani nuk i intereson askujt.
RAIF ISENI, BANOR
“Në këtë kanal vje era e keqe e kemi si jë lloj pandemie, kemi 3,4 fëmij që janë të sëmurë prej kësaj ere dhe kanë shkuar janë shëruar në Beograd, sepse këtu nuk ka mjek adekuat për këtë sëmundje për këtë sëmundje të zemrës, a askush nuk mer masa. Para këtyre zgjedhjeve parlamentare që ishin, kryetari i parlamentit, me këmbëngulje ka thënë që pas zgjedhjeve ejani tek ne se ne do ua regullojmë kanalin, i fituan zgjedhjet, shkuan, u ul në parlament bile se ka gajle për ne se si jemi, qka jemi. Kjo është katastrofë për neve”.
“25 vite jemi këtu, kërkojmë ndihmë por askush nuk vjen”- tha një tjetër qytetar duke theksuar se prej kësaj janë shkaktuar shumë sëmundje tek fëmijët.
FERIZ IBRAHIMI, BANOR
“Po e shikoni edhe vet, 25 vite që jemi këtu, kërkojmë ndihmë, kërkojmë ndihmë askush nuk vjen, vijnë thonë do të bëhet do të bëhet, mu bo zbëhet kurr, ja siç e shifni edhe vet na mbyti pandemia, era. Fëmijët shkojnë në shkollë era e keqe nuk munden ta durojnë, i rok gripi. Po 100 herë, përgjigjia, do të bëhet do të bëhet ama ja”.
Problemi i kanalizimit në Hasanbeg nuk është vetëm çështje infrastrukture, por çështje dinjiteti dhe shëndeti publik ku përveç këtij problemi ata hasin probleme serioze edhe me mungesën e ujit. Banorët thonë se nuk kërkojnë luks, por kushte minimale jetese, të cilat në një kryeqytet duhet të jenë të garantuara për çdo qytetar. Pavarësisht premtimeve të shumta, zgjidhja ende mungon.
Anida Murati /SHENJA/


