Kampioni i botës në WBA Youth, Benjamin Imeri, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, takim të cilin e ka cilësuar si një moment të veçantë në rrugëtimin e tij profesional.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë, si boksier profesionist, të jem në takim me Ambasadorin Denion Meidani. Folem shqip, hapur e me zemër, për të ardhmen dhe për sfidat që na presin”, ka shkruar Imeri.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit ka parashtuar edhe kërkesën për mundësinë që në të ardhmen ta përfaqësojë Shqipërinë me krenari në arenën ndërkombëtare.
“Dal nga ky takim më i motivuar se kurrë, me bindjen se përmes sportit mund ta çojmë lart flamurin tonë dhe ta nderojmë vendin me punë, disiplinë dhe dinjitet”, theksoi kampioni i WBA Youth.
Nga ana tjetër, ambasadori Denion Meidani e ka përshëndetur arritjen e Imerit me një mesazh publik:
“Çfarë krenarie! Benjamin Imeri, kampion bote në WBA Youth. Një fitore që flet për përkushtim, karakter dhe ambicie. Një mesazh i qartë se brezi i ri shqiptar po konkurron dhe po fiton në arenën botërore. Urime kampion! Fitore që frymëzon një brez të tërë.”
Takimi vlerësohet si një sinjal mbështetjeje për sportistët shqiptarë që synojnë të përfaqësojnë denjësisht flamurin kuqezi në skenën ndërkombëtare.








