Një efektiv policie, me detyrë në Kukës, është konfliktuar me punonjësin e një biznesi në Tiranë. Ngjarja është shënuar paraditen e së hënës në zonën e quajtur “Malajziani”.
Burime bëjnë me dije për gazetaren Xhensila Kodra se konflikti ka nisur pasi punonjësit e lokalit i kanë kërkuar efektivit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit. Debati është tensionuar me shpejtësi, duke kaluar nga përplasja verbale në nxjerrjen e armës nga ana e policit.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, duket momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin është në konflikt, teksa të pranishëm ka edhe persona të tjerë, përfshirë edhe dy gra.
Burime bëjnë me dije se për rastin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim, ndërsa polici, i cili rezulton të jetë i punësuar në Policinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë. Procedimi është marrë në këshillim me prokurorinë, ku tashmë është referuar rasti.
Efektivi është marrë në pyetje dhe ka deklaruar në AMP se ka qenë rastësisht në vendngjarje dhe nuk i njihte personat më përpara. Sipas tij, fillimisht ka pasur frikë se mos i marrin armën dhe ka reaguar duke e nxjerr nga brezi.
Hetimi disiplinor për efektivin e policisë ka nisur edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.


