Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) kanë mbajtur takim pune me përfaqësues të Fondacionit ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES), në të cilin u konfirmua gatishmëria për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të programit “Mbështetje për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”.
Siç njoftoi KSHZ-ja, drejtoresha e Zyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Joana Kosma, theksoi se bashkëpunimi me KSHZ-në përmes projektit të Qeverisë së Zvicrës “Programi për mbështetje për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut” deri tani ka rezultuar me arritje konkrete dhe të matshme, veçanërisht në zhvillimin e zgjidhjeve të TI-së, përforcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe rritjen e besimit të qytetarëve në to.
“Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Bojan Mariçiq tha se gjatë mandatit të tij, përparësi do të ketë përforcimi i kredibilitetit dhe dukshmërisë së KSHZ-së, si dhe transparenca e saj ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, ai tha se përbërja e re e Komisionit do të vazhdojë me proceset e reformës, me një fokus qartë të përcaktuar në prioritetet kryesore strategjike, mes të cilave u theksua nevoja për të vënë në funksion Qendrën për trajnim të vazhdueshëm të KSHZ-së. Mariçiç theksoi se Qendra për trajnim tashmë ka bazë të vendosur ligjore dhe se në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me IFES-in, do të bëhen përpjekje për funksionimin e saj të plotë operacional, duke përfshirë edhe sigurimin e stafit të duhur”, thuhet në kumtesë.
Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, gjatë diskutimit u përqëndrua në rëndësinë e resurseve njerëzore dhe edukimin e vazhdueshëm si element kyç për qëndrueshmëri të reformave.
“Anëtarët e Komisionit, të cilët morën pjesë edhe në përbërjen e mëparshme të KSHZ-së, në takim i theksuan përvojat e deritanishme nga bashkëpunimi me IFES-in, duke e cekur rëndësinë e mbindërtimit mbi rezultatet e arritura dhe sigurimit të vazhdimësisë në proceset reformuese. Në takim bashkërisht u konkludua se partneriteti midis KSHZ-së dhe IFES-it mbetet strategjik në periudhën e ardhshme, me qëllim përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe përforcimin e besimit të qytetarëve në sistemin zgjedhor”, njofton KSHZ-ja.


