Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ka hyrë në fazën përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata me seli në Hagë e cila gjykon krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë fazë, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë për herë të fundit të paraqesin fjalët përfundimtare para trupit gjykues. Avokati Artan Cerkini, në një intervistë për KosovaPress, tha se fjalët përfundimtare do të zhvillohen nga 9 deri më 18 shkurt.
“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve shënojnë edhe përfundimin e procedurës. Natyrisht, si prokuroria, ashtu edhe mbrojtja do të përmbledhin faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të flasë prokuroria, pastaj mbrojtja. Sipas aktvendimit të gjykatës, prokuroria do të ketë tetë orë, çdo ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë, ndërsa të pandehurit nga 20 minuta secili për t’u drejtuar trupit gjykues. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje,” tha Cerkini.


