Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njofton se dy persona, për momentin të panjohur, në orët e hershme të mëngjesit në Beograd kanë rrëmbyer këngëtarin maqedonas Daniel Kajmakoski, duke e kërcënuar me thikë dhe armë zjarri dhe duke i kërkuar para.
Sipas njoftimit zyrtar, rrëmbimi ka ndodhur në rrugën Karagjorgjeva në Beograd, pas së cilës të dyshuarit e kanë marrë të dëmtuarin në automjetin e tij. Pas një ndjekjeje policore, automjeti është ndaluar në territorin e komunës së Rumës, ku policia e ka gjetur Kajmakoskin me duar të lidhura, ndërsa autorët kanë arritur të braktisin automjetin dhe të largohen në drejtim të panjohur.
Aksioni për ndalimin e automjetit është realizuar në mënyrë të koordinuar nga disa shërbime të MPB-së serbe, përfshirë Drejtorinë e Policisë Kriminalistike, Shërbimin për Luftimin e Krimit, Shërbimin për Luftë Kundër Terrorizmit, Xhandarmërinë, Njësinë Speciale Antiterroriste, policinë e trafikut dhe atë kufitare, si dhe njësitë policore të qytetit të Beogradit.
Nga MPB e Serbisë bëjnë të ditur se i dëmtuari është marrë në përkujdesje, në vendin e ngjarjes është kryer ekspertizë, ndërsa policia po vazhdon kërkimin intensiv për autorët. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ka kualifikuar veprën si rrëmbim dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.


