Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Supreme të Republikës Arabe Egjipt, Bulos Fatimp Iskamdar nënshkruan Protokoll për bashkëpunim. Me rastin e nënshkrimit, dy kryetarët shprehën kënaqësi dhe bindje se me këtë dokument vendosen perspektiva të reja për përparim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit, shkëmbim të përvojave dhe teknika për përparim dhe punë më efikase.
Siç informon Gjykata Kushtetuese, bisedimet u zhvilluan në drejtim të shkëmbimit dypalësh të njohurive dhe praktikave, u diskutua edhe nga aspekti i zgjerimit të bashkëpunimit në plan ndërkombëtar, me qëllim informimin dhe ndërtimin e qëndrimeve në kuadër të Konferencës Botërore të Gjykatave Kushtetuese.
Vizita e Kostadinovskit në Egjipt është me rastin e pjesëmarrjes së kryetarit Kostadinovski në Takimin në nivelin më të lartë të gjykatave kushtetuese të Afrikës, në të cilin marrin pjesë edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, Kandido Konde – Pumpido i cili e përfaqëson Konferencën Botërore të Gjykatave Kushtetuese, Elena – Simina Tanasesku si kryesuese e Asociacionit të Gjykatave Kushtetuese të Frankofonisë.
Kostadinovski, përveç asaj që e përfaqëson Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është në cilësinë e kryesuesit dhe përfaqësuesit të Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese. Ai sot do të mbajë fjalim në temën “Gjyqësori Kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rruga nga formalizmi i rreptë në kushtetutshmëri të gjallë”.
Në margjinat e kësaj ngjarje, kryetari Kostadinovski u takua sot me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese turke, Kadir Ozkaja, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Algjerisë, Lejla Asloi. Kostadinovski u takua edhe me Jung Jungmi, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Koresë, ku ata shprehën kënaqësi për zhvillimin e bashkëpunimit dhe njoftuan praninë e përfaqësuesve të Gjykatës në Kore në Kongresin e 4-t të Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, i cili do të mbahet nga 12-14 nëntor në Ohër.


