Ministri i Çështjeve Evropiane dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe. Ai shtoi se ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi.
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.


