Nga: Hilë Lushaku
Petro Poga u lind në vitin 1850, në Erind të Gjirokastrës, ku edhe ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në gjimnazin “Zosimea”, të Janinës dhe pastaj në degën e Drejtësisë së Universitetit të Stambollit, ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Frashëri, Samiun, Naimin, Abdylin si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, duke u përfshirë në Komitetin Qendror për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje. Petro ishte një ndër figurat e apostujve të shqiptarizmës në brezin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1883, ishte njëri nga themeluesit dhe botuesit e gazetës “Drita” të Stambollit, të cilën pas numrit tretë të saj, e vijuan botimin patrioti rilindës Pandeli Sotiri, së bashku me poetin Naim Frashëri. Në kujtimet e tij, Petro, ka shkruar: “Emëri ‘Drita’ dhe dita e pavarësisë së kombit tonë, më kujtojnë shumë gazmore, por jo dhe pakë të tmerruarë dhe të indhuarë. Titulli ‘Drita’ më kujton ditën 14 kallnuër (janar-H.L.) 1883, kur për të parë herë në Stamboll, botova fletoren e parë me emrin ‘Drita’, gja më dëshironte, për zgjimin e idealit kombëtar, në një kohë që shqiptari, afro, e kish harruar kombësinë, tue mështetur feve se pandeh vetë-vetën, më tepër të huaj, se shqiptar. Fletore ‘Drita’ e zgjoi idealin e shenjtë Kombëtar dhe deri diku çrrënjosi nga zemrat e shqiptarëve mendimin, që fetë nuk e ndryshojnë kombin, tue mos mundurë të ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë Kombin”.
Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesë në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave Kombëtare. Roli i tij më i dukshëm, u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita”, të Gjirokastrës, të cilin më vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Hysen Hoxha, Idriz Guri, dhe Elmaz Boçe. Ky grup atdhetarësh u shquan në përhapjen e librave shqip, kryesisht abetare, gazeta e libra të tjerë në gjuhën shqipe.
Në vitin 1912, Petro Poga mbështeti fuqimisht kryengritjen anti-osmane të Shqipërisë së Jugut.
Në nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjodhi delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në telegramin që i dërgoi Ismail Qemalit, parësia e Gjirokastrës shkroi: “Ju bëjmë të ditur se, për të marrë pjesë në bisedimet që po bëhen atje për shpëtimin e vendit, janë zgjedhur delegatë nga popullsia krishtere e Gjirokastrës lartësia e tij: Myfid beu, z. Petro Poga dhe z. Jani Papadhopulli”.
Më 29 dhjetor 1912, në Gjirokastër ka pritur, së bashku me Mufid Libohovën, Hysen Efendi Hoxhën e Fehim Efendi Arshiun (Mezhdigoranin – Mezhgoranin -H.L.) delegatët e Çamërisë, Aziz Tahir Ajdonatin (Tahir Mete Murati), përfaqësues i Paramithisë; Jakup Veisel Rusi, përfaqësues i Margëlliçit; Rexhep Hamit Demi, përfaqësues i Filatit dhe Veli Gerra, përfaqësues i Gumenicës, nga ku udhëtuan drejt Vlorës dhe mbërritën më 3 dhjetor në darkë. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në votimin e kuvendit për ministrat, nuk fitoi që në raundin e parë, mbasi mori vetëm 20 vota, renditur i dhjeti, ndërsa në votimin e dytë, u rendit i pari, duke fituar 40 zëra, krahas me Pandeli Cale që mori 39, Lef Nosi 37, K. Meksi 19, Dud Karbunara 16, Eqrem beu 2, Myfti Vehbi Efendi dhe Z. Zografi nga 1. U quajtën të zgjedhur tre të parët, që fituan më shumë se gjysmën e zërave.
Ministria e parë e Drejtësisë e shtetit të pavarur shqiptar, u krijua me miratimin nga qeveria e Vlorës, e aktit “Kanuni i përshtatshëm i administratës civile shqiptare”. Në krye të kësaj ministrie u vendon juristi, Petro Poga, ministër i parë i Drejtësisë së shtetit të pavarur shqiptar. Qeveria e Vlorës i caktoi këshilltar Haziz Gjirokastrën, delegat në kuvendin e shpalljes së pavarësisë, i cili e ndihmoi në hartimin e rregullave dhe themelimin e Shoqërisë “Drita”, të avokatëve shqiptarë më 1913.
Kushtetuta e parë e Shqipërisë, “Statuti Organik i Shqipërisë”, u hartua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në Vlorë, më 10 prill 1914, në mbështetje të aktit të 29 korrikut 1913, të Fuqive të Mëdha. Krahas kësaj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës e ngarkuan edhe me detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë, detyrë të cilën e mbajti në periudhën 1913-1915. Në atë periudhë u formua Gjyqi Popullor me juri, i cili do të gjykonte çështjet, por ky organizim rezultoi i dështuar, sepse populli shqiptar i pashkolluar e i pakulturuar, nuk ishte në gjendje t’i përshtatej një sistemi të tillë.
Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Fehim Mezhgorani, ka hartuar Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Po kështu, së bashku kanë hartuar aktet ligjore “Kanuni i Dëmeve” dhe “Kanuni i Zhuries”, të cilat Poga i ka paraqitur për diskutim dhe mbrojtur vetë gjatë miratimit të tyre. “Kanuni i Zhuriës”, ashtu sikurse edhe “Kanuni i Dëmeve”, u botua në disa numra të gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, mban datën e përfundimit si dokument më 13 maj 1913, nënshkruar “Poga” në fund të materialit, shënuar; “u këndua në Këshillim e Ministrave më 23 maj 1913, u pranua, i vërtetuar e nënshkruar nga vetë Poga, Mufid (Libohova – H.L.), Aziz Vrioni, Gurakuqi, Nosi, P. Tsali (Cale – H.L.) dhe Mehmet Ruzhdi (Dëralla – H.L.).
Roli i tij si jurist i zoti dhe ministër i Drejtësisë, u shtri edhe në dërgimin e urdhëresave e udhëzimeve në prefektura e nënprefektura për zbatimin e ligjshmërisë ndaj personave që kryejnë faje, madje duke këmbëngulur që ata “të shtien në dorë menjëherë”, duke vënë në veprim xhandarmërinë. Kur ishte ministër i Drejtësisë, në qeverinë e Përkohshme, Petro Poga ka kryesuar delegacionin qeveritar shqiptar për kufijtë, ku ishin edhe Rauf Fico, Thoma Papapjani, Mufid Libohova e Eqrem bej Vlora, të cilët shkuan në Evropë për bisedime.
Pas veprimtarisë në Vlorë, Petro Poga, shkoi në Durrës por fillimisht nuk u zgjodh në kabinetin e parë të kryeministrit Turhan Pashë Përmetit, në kohën e princ Wied-it. Kur ndodhen ndryshime të detyruara në kabinetin qeveritar, për shkak të kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Petro Poga u emërua ministër i Arsimit, pas dorëheqjes së Dr. Turtullit.
Më 25 dhjetor 1918, ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh nënkryetar i kongresit (kryetar u zgjodh Mehmet Konica), pastaj, nga kongresi, u caktua anëtar i kabinetit të Turhan Pashës, duke u zgjedhur ministër i Drejtësisë në qeverinë e Durrësit. Së bashku me Luigj Gurakuqin, në diskutimet e tij në këtë Kongres, ata kërkuan të respektoheshin liritë fetare sipas parimeve evropiane.
Më 25 shtator 1919, ndërsa zhvilloheshin bisedime të ashpra në Paris për problemin e kufijve të Shqipërisë, Petro Poga, së bashku me Mustafa Krujën (ky i sapo kthyer nga Parisi së bashku me Mufid Libohovën) dhe Sami bej Vrionin, si anëtarë të qeverisë së Durrësit, urdhëruar Ismail Haki Tatzatin në krye të një fuqie të armatosur, të shkonte në Korçë, duke i kërkuar komandantit francez, në ikje prej aty, lënien e qytetit në dorë të tyre dhe bashkimin e tij e të rrethinave me qeverinë e Durrësit, gjë e cila gjeti kundërshtimin e rretheve politike të vendit. Në periudhën 1922-1923, me iniciativën e tij u ribotua për herë të tretë, në Gjirokastër, gazeta “Drita”, ku Petro shkroi shumë artikuj me pseudonimet “Viroi” dhe “Një shqiptar”.
Petro Poga, në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, duke qenë në profesion të lirë “avokat”, u vu në krye të grupit demokrat të Gjirokastrës, i cili në programin elektoral kërkonte: Republikë kolegjiale, kryerjen e reformës agrare, përparimin e arsimit, pavarësinë e gjykatave dhe përmirësimin e administratës. Në sajë të një fushate impresionuese, mori përkrahje të gjerë dhe u zgjodh deputet në parlamentin shqiptar të vitit 1923. Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, ai evidentohet ndërmjet 102 deputetëve të tjerë, në listën e deputetëve të regjistruar më 21 janar 1924.
Kur u hapën punimet e Kuvendit Kushtetues, Poga, si deputeti më i vjetër në sallë, së bashku me Nush Bushatin e Shkodrës, si deputeti më i ri i pranishëm, kanë hapur mbledhjen dhe drejtuan seancën e parë. Petro Poga, deputet i Gjirokastrës, më pas u caktua edhe kryetar i Kuvendit Kushtetues, më 17 prill 1924, post që e mbajti deri më 2 qershor të atij viti. Nga Kuvendi kushtetues, Poga është zgjedhur në komisionin e hartimit të statutit të shtetit.
Më 17 janar 1925, në prani të 61 deputetëve (nga 102 që ishin), Petro Poga deklaroi hapjen e punimeve të Kuvendit. Pas katër ditësh, më 21 janar, ai argumentoi arsyet ligjore që kuvendi po diskutonte e miratonte shpalljen e republikës, të Ahmet Zogut. Arsyet shpreheshin në nëntë pika; shkaqe të brendshme (mungonte tradita); shoqërore (shqiptari në shpirt është demokrat); fetare (u përjashtuan arsyet fetare); politike (ishin vërejtur e shfaqur më herët intriga nga politikanë shqiptarë); financiare republika nuk ka shpenzime në lidhje me kryetarin e shtetit, etj.
Më 1 shkurt 1925, Petro Poga u emërua ministër i Drejtësisë. Më 9 shkurt 1925, ka paraqitur programin e qeverisë shqiptare, me pesë probleme themelore, ku renditeshin qetësia, rregullimi ekonomik, drejtësia, marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe përparimi i arsimit e i bujqësisë. Petro Poga ka qenë ministër i Drejtësisë, kur Zogu nxori akte ligjore nga më të rreptat për ndëshkimin e kundërshtarëve të tij politik. Po kështu ai ka qenë ministër i Drejtësisë, kur vartësit e tij, të trembur nga kriza qeveritare e vitit 1921 dhe sidomos pas shpalljes së republikës e emërimit “kryetar”, të Ahmet Zogut, që realisht ka qenë i rrezikuar, morën masa drastike ndaj çdo personi të dyshimtë.
“Fletorja Zyrtare” botoi në datat 13, 14 dhe 31 tetor 1926, të gjitha vendimet që Gjyqi Special Politik i Tiranës, kishte marrë më herët kundër “organizatorëve të një kryengritjeje të përgjithshme kundër jetës së Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Republikës dhe prishjen e qetësisë në vend” dhe për gjithë këto, ndonëse ka pasur shumë kundërshti e kontestime, ministri Poga ka heshtur, pa bërë ndonjë kundërshti.
Në shtator 1925, ministër i Drejtësisë u zgjodh Milto Tutulani, i cili do të kryente shpesh edhe detyrat e kryetarit të ekzekutivit, detyrë të cilën më parë e kishte kryer Poga, që më fillimin e vitit 1925, kur u shpall republika e kryesuar prej Ahmet Zogut. Sipas një burimi, pas nënshkrimit të paktit të dytë me Italinë, kabineti qeveritar dha dorëheqjen për shkak të konflikteve në kabinet, rast kur Petro Poga u thirr sërish në postin e ministrit të Drejtësisë, si dhe të kryesimit të punëve të qeverisë. Ka të dhëna të tjera që tregojnë se Petro Poga ka qenë ministër i Drejtësisë edhe në vitin 1926, dhe këtë e ka pohuar Mehdi Frashëri.
Sipas këtij të fundit, duket se në atë vit, më 1926, ngaqë në Ministrinë e Drejtësisë ishte formuar një komision për të hartuar një kod penal të ri për shtetin shqiptar, ministri do të ketë pasur angazhime në këtë fushë dhe “ka lënë në harresë” zbatimin e ligjshmërisë nga vartësit e tij, të vendosur nën thundrën e kryetarit të republikës, Ahmet bej Matjes.
Mehdi bej Frashëri, ka shkruar në kujtimet e tij: “Atëherë ministër i Drejtësisë ishte Pjetër Poga dhe këshilltar i Ministrisë, ishte Faik Shatku”. Sipas kësaj, rezulton se Petro Poga ka qenë në krye të ministrisë së Drejtësisë edhe kur Ahmet Zogu e kolegu i tij në kabinetin qeveritar, ministri i Brendshëm, Musa Juka, shtypën me zjarr e hekur kryengritjen e Dukagjinit dhe ndëshkimet ndaj rebeluesve ishin drastike nga “Gjyqi Politik” i cili u transferua nga Tirana në Shkodër.
Gazeta “Liria Kombëtare”, lidhur me këto ndëshkime politike e hakmarrëse zogiste, njoftoi publikun: “Varje, djegie dhe plaçkitje…! Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës, janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj Mërtur e, në shumë krahina të Pukës, nuk shifen veçse mijra shtëpi të djeguna, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tonë kombëtare”.
Një vit më pas, më 1927, Poga formoi e mundësoi dekretimin nga Mbreti Zog, të komisionit ligj-përgatitës, i përberë nga Thoma Orollogai, Agjah Libohova, Faik Shatku e Mehdi Frashëri, për përgatitjen edhe të disa ligjeve të tjera, konkretisht: Kodi Civil, Kodi Tregtar, Procedura Civile dhe Procedura Penale. Mendja e tij u shfaq edhe në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928.
Më 1928, Poga u përfshi në komisionin e “përgatitjes së përgjigjeve ndaj fjalës së Ahmet Zogut, që u shpall Mbret”.
Në vitin 1936, duke përshëndetur botimin për të katërtën herë të gazetës “Drita” ka sqaruar, sipas dijenisë së tij, problemin e shumë diskutuar se nga erdhi flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë: “…flamuri i parë që është ngritur në Vlorë, ka qenë një pëlhurë e kuqe tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja dy krenore, me ngjyrë të zezë.
Me atë shkabë u gatitnë dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Pëlhura e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qepnë tek një rrobaqepës, i quajtur Thoma, se nuk priste koha për të ngritur flamur luks. Mënyra e ngritjes ish e frikësuar se deti ish bllokuar. Llogaraja e zënë me vetëdashës, përtej lumit Vjosës ushtria turke, në Tepelenë ushtria greke, d.m.th., vetëm Vlora ish rrethuar nga të katër anët”.
Në vitin 1938, ka qenë i dërguari i qeverisë në Vlorë me rastin e kremtimit të ditës së 28 nëntorit. Lidhur me këtë, gazeta “Jeta e Re” e atyre ditëve, shkroi: “Mbrëmë arritën nga Tirana deputetët z. Petro Poga, Jashar Erëbara, Ismet Kryeziu, për të asistuar e për të vënë kurorë mbi varrin e Ismail Qemalit”. Një pjesë të madhe të jetës, Petro Poga ia kushtoi Drejtësisë Shqiptare. Nuk ka reshtur së shkruari në shtypin e kohës, duke qenë bashkëpunëtor i ngushtë i gazetave: “Minerva”, “Drita”, “Dajti”, “Korça”, “Shqipëria e re”, “Gazeta e Re”,
Më 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, u largua nga politika, në moshën 89 vjeçare, u rikthye në vendlindje, ne Erind, të Gjirokastrës. Gjatë gjithë kohës që shërbeu në fushën e drejtësisë, u shqua për nivelin e lartë profesional. Ka qenë një ndër juristët më të besuar të Zogut, ndaj ai e mbajti në sallat e parlamentit edhe pse ishte në moshë afër një shekull. Vitet e fundit të jetës, Petro Poga i kaloi në vendlindjen e tij, Erind, ku edhe vdiq në vitin 1945. / Memorie.al


