U arrit marrëveshje mes AOGJSH dhe Qeverisë. Pagat e rreth 7.800 të punësuarve në administratën shtetërore dhe në gjyqësor do të rriten me nga 8 për qind në tre vitet e ardhshme, ndërsa paralelisht do të harmonizohen në mënyrë lineare edhe me rritjen e pagës minimale. Sindikalistët shprehen të kënaqur, edhe pse kërkesat e tyre u pranuan vetëm pjesërisht, por megjithatë, fjalën e fundit do ta japin organet e AOGJSH.
“Në takim jam i kënaqur që u pranua kërkesa e sindikatës së AOGJSH, megjithëse jo në tërësi, por shtesat në pagë Qeveria i pranoi që t’i paguajë për të punësuarit në administratë dhe në gjyqësor. Siç paralajmëruam edhe vitin e kaluar, rritja do të jetë në disa vite, pra në tri këste nga 8 për qind, fatkeqësisht jo nga 10 për qind. Për fat të keq, do ta përsëris, nuk i morëm vitin e kaluar, ndërsa tani Qeveria pranon t’i paguajë duke filluar nga muaji mars, përmes asaj që të gjitha institucionet në administratën shtetërore dhe në gjyqësor, pra gjykatat dhe prokuroritë, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për ta realizuar këtë të drejtë”, tha Trpe Deanoski – kryetar i AOGJSH.
Kushti për heqjen dorë nga Marrëveshja e përgjithshme kolektive mbetet. Sindikalistët duhet të marrin marrëveshje individuale përfundimtare, për të cilat duhet të deklarohen. Deanoski thotë se nëse kolegët i pranojnë, nuk ka asnjë pengesë, por nëse nuk i pranojnë, Qeveria do të marrë përgjigje se tashmë është humbur një vit dhe se të punësuarit ndoshta do të kërkojnë më shumë, e ndoshta do të ketë edhe kushtëzime nga ana e Qeverisë për heqje dorë nga diçka tjetër.
“Ne gjithmonë marrim rritje lineare me harmonizimin e pagës minimale. Matematika është kjo: nëse paga minimale rritet tani për 1.500 denarë, mbi këta 1.500 denarë marrim edhe 8 për qind. Kjo do të thotë, në një përllogaritje popullore, se një person që merr rreth tridhjetë e ca mijë denarë, do të marrë edhe rreth 4.000 denarë shtesë brenda 12 muajve. Pastaj vitin tjetër, mbi 34.000 denarë, do të ketë sërish harmonizim dhe edhe 8 për qind. Kjo është matematika, ashtu siç i shpjegonte shifrat kryeministri në publik”, u shpreh kryetari i AOGJSH, Trpe Deanoski.
Ndërkohë, Konfederata e Sindikatave të Lira tashmë e ka pranuar ofertën e Qeverisë. Ata njoftuan se kanë nisur procedurën për pranimin e ofertës për rritjen e pagave të nëpunësve administrativë brenda një periudhe prej 25 deri në 26 muajsh, duke filluar nga marsi i këtij viti deri në mars të vitit 2028, ku krahas rritjes lineare, pagat do të rriten shtesë edhe me nga 8 për qind çdo vit. Nga KSL thonë se tashmë ka filluar përgatitja e marrëveshjeve kolektive individuale, me qëllim që rritja e pagave në administratë të bëhet realitet. Sipas llogaritjeve të kryeministrit, nëse në tre vitet e ardhshme pagës së nëpunësve administrativë i shtohen nga 1.500 denarë nga rritja e pagës minimale dhe çdo vit kjo shumë rritet për 8 për qind, atëherë nëse paga aktuale është 35.000 denarë, pas tre vitesh ajo do të ishte rreth 50 mijë denarë, ose më e lartë për rreth 40 për qind.


