Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë tre persona, Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Me vendimin e datës 5 shkurt 2026, gjykata vendosi:
Musa Gjikola u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 1 vit burg.
Erjon Dani u shpall fajtor për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe u dënua përfundimisht me 2 vite burg. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Vilson Roçi u dënua për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe, pas bashkimit të dënimeve dhe uljes për gjykim të shkurtuar, u dënua përfundimisht me 1 vit burg.
Për të tre të dënuarit, dënimi llogaritet nga data e arrestimit, 11 korrik 2025, dhe do të vuhet në burg të sigurisë së zakonshme. Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të paguhen nga personat e shpallur fajtorë.
Hetimi i SPAK ka zbuluar se gjatë vitit 2020 Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi, së bashku me disa të tjerë, kanë qenë të përfshirë në tre episode ku kanë kërkuar dhe përfituar para (rreth 4 000–7 500 euro) me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë. Qëllimi i tyre ka qenë të ndikojnë tek vendimet për masa sigurie personale dhe dënime ndaj personave të arrestuar, pra të ndërhynin te aktorë të drejtësisë për të ndikuar në proceset kundër të arrestuarve.
Në rastin e Erjon Danit, hetimet kanë treguar se ai, si ish-shef i grupit të krimeve në komisariatin nr. 3 në Tiranë, ka keqpërdorur detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna nga sistemi TIMS, çka e ka futur edhe në akuzën për shpërdorim detyre. Këto veprime janë dënuar si ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, pra ndaj zyrtarëve të sistemit të drejtësisë dhe funksionarëve publikë që marrin vendime.


