Ministria e Drejtësisë me në krye Krenar Llogën – që në mars të vitit 2024 ka konfirmuar zyrtarisht se bankat në Maqedoninë e Veriut janë të obliguara të përdorin edhe gjuhën shqipe dhe të pranojnë dokumente zyrtare në këtë gjuhë, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky qëndrim u bë publik pas kërkesës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili kishte shprehur paqartësi nëse ka bazë ligjore për t’i ndëshkuar bankat që refuzojnë dokumente në shqip. Edhe pse përgjigjja e Ministrisë erdhi me vonesë, ajo qartëson se bankat, si persona juridikë që ushtrojnë kompetenca publike, janë të detyruara ta zbatojnë ligjin dhe të komunikojnë edhe në gjuhën shqipe.
Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi të qartë institucional, në praktikë situata mbetet e pandryshuar. Bankat vazhdojnë të mos e zbatojnë obligimin ligjor, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për t’i detyruar ato të “flasin” shqip, as përmes gjobave, as përmes paralajmërimeve apo masave korrigjuese.
Burime të redaksisë sonë bëjnë të ditur se një pjesë e udhëheqësve të bankave qëllimshëm shmangin përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin me klientët shqiptarë, pavarësisht detyrimit ligjor dhe qartësimit të dhënë nga Ministria e Drejtësisë.
Mosveprimi i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve dhe mungesa e reagimit nga institucionet tjera kompetente e kthejnë ligjin në një normë formale pa zbatim real, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi barazinë gjuhësore dhe sundimin e ligjit në sektorin bankar. Në këtë kontekst, përgjegjësia institucionale mbetet e paadresuar, ndërsa gjuha shqipe vazhdon të trajtohet si opsion, e jo si obligim ligjor.


