Zbatimi i sistemit “Safe City” po sjell pasoja të drejtpërdrejta për pronarët e automjeteve, veçanërisht atyre me motorë dizel. Sipas mekanikëve, rritja e monitorimit dhe e gjobave ka detyruar shumë shoferë të ndryshojnë mënyrën e vozitjes, duke qarkulluar më ngadalë dhe kryesisht në distanca të shkurtra urbane, shkruan ZYRTARE.net
Kjo sjellje, thonë ekspertët e autoserviseve, po ndikon negativisht në filtrat DPF, të cilët kërkojnë temperatura të larta dhe vozitje të qëndrueshme për t’u pastruar. Si pasojë, gjithnjë e më shumë automjete po paraqiten me DPF të bllokuar, duke rritur kërkesën për pastrim ose zëvendësim të tyre.
Mekanikët pohojnë se vetëm gjatë muajve të fundit është shënuar rritje e ndjeshme e ndërhyrjeve në këtë segment, ndërsa kostot për qytetarët shkojnë nga qindra deri në mijëra euro, varësisht nga dëmtimi.
Ndërkohë që autoritetet e prezantojnë Safe City si masë për rritjen e sigurisë në trafik, efektet anësore teknike po kthehen në një barrë të re për shoferët — dhe në një biznes gjithnjë e më fitimprurës për autoserviset.


