Këshilli i Bankës Popullore, në seancën e mbajtur më 3 shkurt 2026, ka miratuar Raportin Tremujor, ku theksohet se treguesit makroekonomikë sinjalizojnë arritje të qëndrueshme në segmentet kryesore të ekonomisë, në përputhje të madhe me projeksionet e publikuara në tetor nga Banka Popullore, transmeton Gazeta Flaka
Sipas raportit, inflacioni vendor ka shënuar ngadalësim të pritur, kryesisht si rezultat i ngadalësimit të inflacionit bazë, ndërsa aktiviteti ekonomik ka shfaqur përshpejtim të moderuar. Njëkohësisht, sektori bankar vazhdon të shënojë rritje solide të depozitave dhe kreditimit, ndërsa rezervat valutore mbeten në nivel të sigurt dhe adekuat.
“Treguesit makroekonomikë tregojnë stabilitet dhe janë kryesisht në përputhje me projeksionet e tetorit të Bankës Popullore,” thuhet në Raportin Tremujor.
Banka Popullore njofton se ka vazhduar përmirësimin e instrumenteve operative për mbështetje të zbatimit efikas të politikës monetare. Në tremujorin e fundit të vitit 2025, është bërë përshtatja e kornizës operative monetare me qëllim menaxhim më të mirë të likuiditetit dhe forcim të transmetimit monetar.
“Me ndryshimet e bëra, theksi vihet te instrumentet me afat më të shkurtër dhe operacione më të shpeshta, duke mundësuar transmetim më efikas të sinjaleve monetare drejt normave afatshkurtra të interesit,” thekson Banka Popullore.
Sa i përket inflacionit, Raporti thekson se në tremujorin e katërt të vitit 2025, norma vjetore e inflacionit ishte 4,2%, ndërsa inflacioni mesatar për gjithë vitin 2025 arriti 4,1%, nivel ky i afërt me vlerësimet e tetorit.
“Për vitin 2026 dhe në afat të mesëm pritet ngadalësim i mëtejshëm i inflacionit dhe kthim gradual drejt mesatares historike,” thuhet në raport.
Megjithatë, Banka Popullore paralajmëron se rreziqet mbeten të pranishme, veçanërisht për shkak të luhatjeve të çmimeve të produkteve primare në tregjet botërore, tensioneve gjeopolitike, fragmentimit tregtar dhe disa faktorëve të brendshëm që ndikojnë në kërkesë.
Në aspektin e rritjes ekonomike, në tremujorin e tretë të vitit 2025, rritja reale vjetore e BPV-së u përshpejtua nga 3,5% në 3,8%, pak mbi vlerësimet e mëparshme.
“Sipas skenarit bazë, rritja ekonomike për vitin 2025 pritet të arrijë 3,5%, ndërsa në vitin 2026 dhe në afat të mesëm të përforcohet deri në 4,0%,” vlerëson Banka Popullore.
Në fund të vitit 2025, rezervat valutore arritën në 4.920,5 milionë euro, nivel që sipas Bankës Popullore ofron mbështetje të plotë për ruajtjen e stabilitetit të valutës vendore.
Të dhënat nga sektori monetar tregojnë gjithashtu mbështetje të fuqishme kreditore për ekonominë, me rritje vjetore të kredive prej 13% dhe të depozitave prej 10% në tremujorin e katërt të vitit 2025, pak mbi projeksionet për fundvit.
Në këtë seancë, Këshilli i Bankës Popullore ka shqyrtuar edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin aktual të Bankës. Gazeta Flaka


