Qarkullimi i automjeteve në aksin nacional Librazhd-Qafë Thanë, këtë të hënë në zonën problematike të Kthesave të Dragostunjës, vijon të kryhet me vështirësi.
Aktualisht, vetëm një korsi e gjysmë e rrugës është e hapur, ndërsa një gur gjigant ndodhet ende mbi asfalt, duke përbërë rrezik real për drejtuesit e mjeteve.
Ajo që bie më tepër në sy, një ditë pas ngjarjes së rëndë, është mungesa e autoriteteve në terren. Nuk ka sinjalistikë paralajmëruese, as punonjës që të këshillojnë drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë në një segment që mbetet tejet i rrezikshëm.
Ndonëse për më shumë se 7-8 orë, gjatë ditës së dielë, mjete të rënda punuan pa ndërprerje për shembjen e skarpatës së dëmtuar dhe lirimin e rrugës, situata nuk është normalizuar plotësisht. Në korsinë e bllokuar, mjetet e tonazhit të rëndë e kanë të pamundur shkëmbimin, duke krijuar tension dhe rrezik të shtuar për aksidente.
Mes personave që u përballën drejtpërdrejt me rrezikun është edhe banori i zonës, Safet Duka, i cili i shpëtoi për mrekulli masivit të gurëve që u shkëput nga mali, në një moment që mund t’i kishte marrë jetën atij dhe nënës së tij.
Ai tregon se automjeti i tij u dëmtua nga gurët e parë që ranë në rrugë dhe kërkon dëmshpërblim nga firma që mirëmban aksin, si dhe masa urgjente nga autoritetet për të rikthyer sigurinë për përdoruesit e rrugës.
Ndërkohë, të dielën, Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, mohoi që shembja e masivit të jetë shkaktuar nga punimet për zgjerimin e Korridorit VIII. Megjithatë, fakt mbetet se shumë pranë segmentit të dëmtuar shihen mjete dhe punime aktive për gjurmën e re të rrugës, çka ka shtuar dyshimet dhe debatet mbi ndikimin e tyre në stabilitetin e terrenit.
Situata ka ngritur gjithashtu edhe shqetësime mjedisore. Ambjentalistët denoncojnë hedhjen e mbetjeve inerte në lumin Shkumbin, duke paralajmëruar pasoja serioze për ekosistemin dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Në një nga akset më të rëndësishme kombëtare, që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit, rreziku ende nuk ka kaluar. Drejtuesit e mjeteve lëvizin mes frikës dhe pasigurisë, ndërsa pritshmëritë për masa konkrete dhe prani shtetërore në terren mbeten ende pa përgjigje.


