Sot u mbajt seanca e dytë e Bordit Drejtues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të RMV-së (BNJVL), në të cilën mori pjesë edhe Izet Mexhiti,në cilësinë e nënkryetarit të BNJVL-së. Gjatë takimit u trajtuan disa çështje me rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal dhe modernizimin e administratës.
Në këtë takim, së bashku me ministrin për Administratë Publike, z. Goran Minçev, u prezantua softueri i ri për menaxhimin e resurseve njerëzore, i cili do t’u mundësojë edhe njësive të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve të tyre një administrim më efikas dhe modern.
Gjatë seancës emëruam përfaqësuesit e BNJVL-së në trupa punues dhe organizata vendore e ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, NALAS dhe ARLEM, ku do të përfaqësohen interesat e pushtetit lokal. Po ashtu, në periudhën në vijim do të kompletohet përbërja e komisioneve brenda BNJVL-së me përfaqësues nga fusha të ndryshme me rëndësi për komunat.
Shqyrtuam dhe përkrahëm disa iniciativa të rëndësishme, përfshirë iniciativën qytetare “Stop për USJE”, si dhe çështjet e ngritura nga ADKOM lidhur me sfidat e ndërmarrjeve publike komunale.
Angazhimi im mbetet i palëkundur për forcimin e pushtetit lokal dhe për mbrojtjen e interesave të komunave dhe qytetarëve tanë./Almakos/


