Husein Rizai
Një ditë, më ra rasti të falesha në Xhaminë Alaxha të Shkupit. Nuk ishte thjesht një hyrje në një xhami, por një kalim i heshtur nga koha e sotme në një botë shumë më të vjetër, më të thellë e të ngarkuar me frymë dhe kujtesë.
Që në çastin e parë, muret nuk më dukeshin prej guri, por prej historie, ajri nuk ishte thjesht ajër, por bartësi i lutjeve të panumërta, i zërave të shuar dhe i gjendjeve të fshehta shpirtërore.
Aty, mes qetësisë së rëndë dhe dritës së zbehtë që depërtonte butë, më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme, sikur kisha hyrë në një hapësirë ku koha nuk ecën drejt, por rrotullohet rreth kujtesës.
Në atë çast, pa zhurmë, në mendjen time u shfaq figura e hoxhës, dijetarit dhe të urtit, njeriut elegant e të pastër, hafëz Idriz ef. Idris, kjo nuk erdhi si një kujtim i zakonshëm, por si prani e gjallë.
Ai u shfaq jo me fjalë, por me gjendje (hal), me një qetësi që nuk mësohet, me një peshë që nuk imponohet dhe një hijeshi që nuk kërkon vëmendje. Ishte figura e dijetarit të thellë i cili elegancën nuk e kishte vetëm në pamje, por në mënyrën se si dukej e si e kishte rregulluar botën e vet të brendshme.
Në atë moment e kuptova se disa njerëz nuk i mban vetëm mendja, por i mban vendi. Xhamia Alaxha dukej sikur ende e ruante frymën e tij në heshtjen e safëve, në maturinë e hapësirës dhe në dinjitetin e thjeshtësisë. Sikur çdo qoshe të kishte dëgjuar zërin e tij të qetë dhe çdo mur të kishte përthithur urtësinë e një njeriu që e jetoi fenë me tërë qenien e tij.
Hafëz Idriz sf. Idris nuk më erdhi si figurë historike, por si simbol i një kohe kur dijetari ishte edhe edukator i shpirtit, kur pastërtia e jashtme ishte pasqyrë e asaj të brendshme dhe kur thjeshtësia ishte forma më e artë e ihsanit. Ai dukej sikur ende qëndronte aty, si një frymë udhëzuese që e mbante atë hapësirë të mbështetur në qetësi, urtësi dhe dinjitet.
Ky hoxhë i shquar i Shkupit, tashmë i kaluar në mëshirën e Zotit, ishte prej atyre te të cilët estetika nuk ndahej nga takvaja (devotshmëria). Çdo gjest i tij, çdo lëvizje, çdo shikim dhe heshtje fliste për një botë të brendshme të pastruar dhe të qetësuar, ku eleganca, bukuria nuk lindte nga imazhi, por nga përputhja e zemrës me shpirtin. Pamja i tij nuk ishte vetëm dukje, por pasqyrim i disiplinës së brendshme, hijeshia nuk ishte sipërfaqe, por pasojë e ndriçimit të brendshëm, ndërsa eleganca ishte një gjendje e heshtur e dinjitetit, që tërhiqte pa imponuar, udhëhiqte pa folur dhe zbukurohej vetvetiu nga shpirti i tij.
Zëri i tij, fytyra dhe vetullat e tij nuk ishin thjesht tipare fizike, ato ishin një botë në vete. Çdo fjalë që dilte nga goja e tij mbante peshën e dijes dhe butësinë e zemrës. Çdo shikim, çdo shtrëngim i vetullave, çdo shprehje e fytyrës së tij shpërfaqte ndjeshmëri të lartë, maturi dhe hijeshi të brendshme. Nuk ishte e nevojshme që ai të fliste shumë, mjaftonte të ecnit pranë tij, të shikoje fytyrën dhe të dëgjoje zërin dhe ndjeje se përballë ishte një njeri që jetonte çdo fjalë, çdo heshtje dhe çdo gjest me përkushtim ndaj Zotit dhe njerëzve.
Më kujtohet kur çdo Ramazan, ai vinte në Xhaminë e Sahatit në Tetovë. Unë, bashkë me prindin tim i cili shumë e donte, shkoja në këtë xhami dhe si fëmijë i vogël dhe kureshtar, shpeshherë ia ngulja sytë dhe e ndiqja me zemër çdo lëvizje të tij. Ai nuk vinte për të treguar dijen ose autoritetin e tij, por për të ndarë një art të heshtur të jetës.
Fjala e tij ishte si ujë i qetë që depërtonte në zemër, çdo fjalë përmbante mësim, butësi dhe respekt, çdo gjest shfaqte përkujdesje dhe maturi dhe çdo heshtje kishte peshë dhe thellësi.
Edhe ne, që e ndiqnim nga një qoshe e xhamisë, ndienim se ajo që shfaqte nuk ishte vetëm dije, por një pasqyrë e shpirtit të tij të pastër dhe urtisë së brendshme.
Ai nuk ishte thjesht një predikues, ishte një udhërrëfyes i heshtur, një figurë që e bënte fenë dhe moralin të dukshëm pa zhurmë dhe që çdo gjest i tij, çdo lëvizje, çdo shikim shpërfaqte bukurinë e brendshme që rrjedhte nga zemra.
Unë e ndiqja me admirim dhe frikë të përzier, sepse përballë meje qëndronte një njeri që kishte harmonizuar çdo pjesë të vetes, që e kishte jetuar fjalën, sjelljen dhe çdo detaj me përkushtim ndaj Zotit dhe njerëzve.
Në ato momente të Ramazanit, kuptova se disa njerëz nuk kanë nevojë për tituj apo shfaqje, ata bëjnë që çdo vend, çdo hap dhe çdo dëgjim të shndërrohet në mësim shpirtëror.
Ai, Idriz ef. Idris, ishte pikërisht një nga ata njerëz, estetika, thellësia dhe edepi që i shfaqte nuk ishin të jashtme, ishin një dritë që ndriçonte shpirtin e çdo njeriu që kishte fatin ta dëgjonte dhe ta shikonte.
Arti i reflektimit nuk kishte nevojë për fjalë.
Sa i pashëm, sa elegant.
I pastër në veshje, por edhe më i pastër në qëllim, i bukur në pamje, por edhe më i bukur në sjellje, i rregullt në detaje, por edhe më i rregullt në parime. Çdo aspekt i tij dukej i thjeshtë, por pas çdo thjeshtësie fshihej një hijeshi e brendshme që rrjedhte nga përkushtimi, durimi dhe takvaja. Nuk ishte bukuria e jashtme ajo që tërhiqte vëmendje, por qetësia që depërtonte në zemra, eleganca që shfaqej pa zhurmë dhe harmonia që ndriçonte çdo hap.
Në këtë mënyrë, ai dëshmoi se ihsani nuk është vetëm gjendje e zemrës, por edhe disiplinë e jetës së përditshme. Ai e bëri trupin, veshjen, fjalën dhe qëndrimin pjesë të adhurimit.
Kur u nda nga kjo botë, bukuria e tij nuk u shua, sepse ajo nuk ishte vetëm fizike. Ajo mbeti si kujtim i një njeriu që e rregulloi veten për hir të Zotit dhe që e jetoi fenë me hijeshi, pastërti dhe stil të lartë shpirtëror.
Tashmë që ai është larguar nga kjo botë, boshllëku që ka lënë nuk mund të matet me fjalë, por kujtimi i tij jeton në zemrat e atyre që e njohën, në heshtjen e xhamisë, në harmoninë që ai e krijoi në çdo hap dhe fjalë.
Idriz ef. Idris mbetet një shembull i rrallë i dijetarit që jetoi fenë me hijeshi, pastërti dhe stil të lartë shpirtëror, një figurë që nuk largohet kurrë nga memoria shpirtërore e qytetit dhe e xhematit që e donte. Allahu e pastë mëshiruar!
Kjo fotografi letërnjoftimi e hfz. Idris ef. Idriz është dëshmia e një burrërie që nuk njohu kompromis. Edhe përballë kërkesave zyrtare të kohës, ai refuzoi prerë të fotografohej pa çallmë, duke bërë që dokumenti të pasqyronte natyrën e tij të vërtetë dhe besnikërinë e palëkundur ndaj identitetit të tij si hoxhë.
P.s. Këtë fotografi të çmuar dhe plot dinjitet ma dërgoi biri i tij, hfz. Adnan Idrizi, duke na rikthyer në kujtesë një shembull të rrallë të integritetit njerëzor e shpirtëror.




