Qeveria nuk është adresa ku punëtorët duhet të kërkojnë paga më të larta, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Ai thotë se marrëveshja duhet të arrihet mes punëtorëve dhe punëdhënësve.
“Paga më të larta duhet të kërkohen dhe secili që kërkon pagë më të lartë duhet të mbështetet. Por, kjo adresa nuk është Qeveria. Adresa e vërtetë duhet të jenë punëdhënësit, por edhe ata që për shtatë vite ishin Qeveri dhe e vodhën e shkatërruan këtë shtet, përfshirë punëtorët, e shantazhuan dhe e kushtëzuan biznesin. Ata janë adresa e vërtetë për protestë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se kanë përgatitur ndryshime ligjore për rritjen e pagës minimale, të cilat do të dorëzohen në Kuvend.
“Ne kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore që do t’i dorëzojmë në Kuvend. Së pari, propozim-ligj për ndryshime të Ligjit për Pagën Minimale, me të cilin propozojmë që paga minimale të jetë 600 euro neto, si dhe ngrirja e pagave të funksionarëve”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Sindikatat një ditë më parë dolën në protestë për rritjen e pagës minimale në 600 euro si dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro. Sindikatat i dhanë afat njëjavor Kuvendit që të miratojnë ndryshimet ligjore për rritjen e minimales. Nëse nuk pranohen kërkesat e tyre paralajmëruan protesta të reja, bllokada e grevë. / Alsat.mk


