Idriz Sinani, Kryetar Nderi i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM-ISHR), ka reaguar publikisht duke dëshmuar se është përballur sërish me maltretim nga autoritetet kufitare të Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklarimit të tij, trajtimi në pikën kufitare ka qenë çnjerëzor dhe degradues, çka ai e cilëson si shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të konventave ndërkombëtare të OKB-së, ku vendi është palë nënshkruese.
Sinani thotë se bëhet fjalë për maltretim të përsëritur, ndalime arbitrare dhe sjellje poshtëruese, të cilat i konsideron presion institucional me motive politike dhe etnike. Ai e lidh këtë trajtim me angazhimin e tij publik për denoncimin e rasteve të montuara, diskriminimit sistematik dhe shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai thekson se rasti i tij, sipas tij, nuk është i izoluar, por pjesë e një praktike shqetësuese që synon frikësimin e aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe heshtjen e zërit kritik.
Në reagimin e tij, Sinani u ka bërë thirrje ambasadave të huaja në Shkup, Bashkimit Evropian, OSBE-së, UNHCR-së dhe mekanizmave të OKB-së që të reagojnë, të monitorojnë situatën dhe të kërkojnë llogari institucionale.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me rastin. (INA)


