Këshilli i Mandateve do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur mbi kërkesën e GJKKO për heqjen e imunitetit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku,çka i hap rrugë arrestimit të saj pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Mbledhja do të mbahet në orën 12.00, teksa Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë akoma një vendim lidhur me pezullimin e saj nga detyra.
Kryeministri Edi Rama kërkoi rrëzimin e vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut. Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
Por pas dërgimit të çështjes në Kushtetuese, SPAK ndërmori një hap tjetwr, pasi kërkoi heqjen e imunitetit të saj me qëllim vendosjen e një mase arresti. Pas mbledhjes së mbajtur në dhjetor, mbledhja e dytë e Këshillit të Mandateve u shty me qëllim pritjen e një vendimi nga Kushtetuesja.
Por teksa kjo e fundit po merr kohë, Këshilli i Mandateve do të duhet të vendosë nëse do të pranohet kërkesa e SPAK apo jo.
AKUZAT:
Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi më pas se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK ku kërkohry dhe arrestimi i zv. Kryeministres.


