Gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska para fillimit të seancës së sotme për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan, bëri thirrje në rend dhe disiplinë në sallën e gjyqit duke porositur se “nuk ka gjyq pa rend”, dhe paralajmëroi se çdo prishje e rendit publik do të ndëshkohet dhe se kjo vlen për të gjithë në procedurë, si për palët e dëmtara, ashtu edhe të pandehurit dhe mbrojtësit.
“Disa herë deri tani ndodh që të prishet rendi, që na e vështirëson zbatimin e procedurave sipas ligjit. Të gjithë të pandehurit kanë të drejtë për avokatë mbrojtës, kjo është e drejtë ligjore dhe kushtetuese”, tha gjyqtarja.
Paralajmërimin për opinionin dhe të gjithë të pranishmit në sallën e gjyqit në Idrizovë gjyqtarja Gruevska-Ilievska e dha pasi Ivana Kocevska, avokatja e pronarit të “Puls”, Dejan Jovanov-Deko, para fillimit të seancës së sotme reagoi në gjykatë dhe kërkoi që opinioni të përjashtohet nëse vazhdon ta prishë gjyqin.
“Nëse ndodh edhe një prishje e rendit, do të përjashtoheni nga gjykimi – paralajmëroi gjyqtarja dhe shtoi se “të gjithë të pandehurit deklarohen të pafajshëm derisa të merret vendimi përfundimtar gjyqësor.
Gruevska – Ilievska githashtu theksoi se deri tani ka gjykuar edhe raste të tjera, duke përfshirë edhe rastin “Durmo turs”, ku gjithashtu pati viktima dhe ku, siç tha, familjarët e pranishëm ishin “përfundimisht korrekt”.
Tensionet mes familjeve të viktimave dhe mbrojtjes së të pandehurve nga gjykimet paraprake në sallën e gjyqit në Idrizovë shpërthyen gjatë fundjavës kur prindërit dhe të afërmit e të vdekurve në marshin e 36-të për engjëjt të shtunën në Koçan, të zhgënjyer, por edhe të hidhëruar për padinë që e ngriti djali i pronarit kundër personave të rinj, të cilët një ditë pas tragjedisë për shkak të rrjedhës tragjike, e demoluan kafe-barin “Klasik” në Koçan, revoltën e tyre e shprehën përmes transparencës, ku është treguar avokatja Ivana Kocevska me një valixhe me para.
Pas kësaj, Kocevska doli me një reagim ndaj përdorimit të imazhit të saj në pankarta, duke theksuar se deri më tani ishte përmbajtur nga çdo sulm në emër të empatisë dhe keqardhjes me dhimbjen e prindërve viktimave, por nuk kishte më vend.
Gjykimi për zjarrin në diskoteken “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200, vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
Kjo është seanca e parë dëgjimore për këtë vit, pasi ajo e mëparshmja u shty me kërkesë të mbrojtëses të ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Adnan Xhaferovski, avokates Suzana Joshevska-Anastasovska, e cila ndërkohë u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Në seancën e fundit dëgjimore në dhjetor, familjet e të vrarëve në zjarrin e “Puls” dëgjuan me lot, psherëtima të thella dhe vajtime të dhimbshme dëshmitë e nënave, zërat e të cilave u thyen nga pikëllimi. Të pandehurit heshtën me kokat ulur, dhe dëshmitarët, mes lotëve të mbushur me boshllëk dhe dhimbje të pafundme, thanë se pas 16 marsit, jeta e tyre kishte ndryshuar përgjithmonë.
Në fillim të procesit në fjalët hyrëse prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt vërtetimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën – se kush ka lejuar, kush ka heshtur dhe kush nuk parandaloi të ndodhë tragjedia në “Puls”. Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm kush e ndezi zjarrin, por edhe kush pati mundësi ta parandalojë, duke theksuar se tragjedia nuk është rezultat vetëm i piroteknikës, por edhe i lëshimeve shumëvjeçare të sistemit, heshtjes institucionale dhe mungesës së kontrollit që e kanë shndërruar diskotekën në një “kurth vdekjeje”.
Janev tha se kërkohet drejtësi, jo si hakmarrje, por si pasojë e mosndëshkimit dhe neglizhencës së detyrës. Shumica e të pandehurve, përmes avokatëve të tyre, e kontestuan vlefshmërinë e akuzës. Mbrojtësit e tyre pohojnë se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë veprime që mund të çonin në zjarr, se kanë poseduar dokumentacion valid dhe se tragjedia është rezultat i lëshimeve institucionale. Mbrojtja njoftoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve që, sipas tyre, do ta konfirmojnë këtë tezë.
Në fjalën hyrëse, mbrojtja e të pandehurit të parë në diskotekën “Puls”, Dejan Jovanov, tha se edhe pas nëntë muajsh paraburgim nuk mund të besojë në tragjedinë dhe se si prind asnjëherë nuk do të lejonte kushte të pasigurta në klub. Djali i tij, i pandehuri i tretë Mihail Jovanov, përmes mbrojtjes pohoi se kundër tij nuk ka asnjë dëshmi dhe se është akuzuar vetëm sepse është anëtar i familjes Jovanovi.
Të gjithë të pandehurit tjerë deklaruan se nuk ndjejnë faj për veprën për të cilën akuzohen.


