Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski dje dhe sot merr pjesë në takimin e rregullt të Komitetit Uhstarakt të NATO-s në formatin e kryeshefave të shtatmadhorive nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerëve.
Në takimin, me të cilin kryeson kryetari i Komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Xhuzepe Kavo Dragone, gjatë ditës së djeshme fjalim pati sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, i cili në fillim dërgoi falënderim te pjesëmarrësit e takimit për mbështetjen e vazhdueshme dhe lidershipin e plotë në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes së aleatëve. Me këtë rast, Rute theksoi progresin e bërë që nga Samiti i Hagës, me fokus në rritjen e investimeve në mbrojtje, rritjen e prodhimit ushtarak dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Në fund, sekretari i përgjithshëm tha: “Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë në të gjithë botën, sepse siguria është një përpjekje e përbashkët.”
Siç informojnë nga Shtatmadhoria, admirali Dragone theksoi në fjalimin e tij se situata e sigurisë mbetet jashtëzakonisht komplekse, duke nxjerrë në pah luftën në Ukrainë, paqëndrueshmërinë dhe dhunën përgjatë fqinjësisë jugore të NATO-s, tensionet e hapura, si dhe aktivitetet e aktorëve të tjerë keqdashës që vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin global. Duke iu referuar aktiviteteve të NATO-s, admirali Dragone theksoi se gjatë vitit të kaluar, nëpërmjet operacioneve të suksesshme “Baltic Sentry” dhe “Eastern Sentry” dhe numrit të shtuar të stërvitjeve ushtarake, vigjilenca e NATO-s dhe aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të Aleancës janë forcuar, duke konfirmuar përshtatshmërinë e jashtëzakonshme të komandave strategjike të NATO-s. Së fundmi, admirali Dragone theksoi se siguria nuk është vetëm një çështje për politikanët dhe ushtrinë, por shqetëson të gjithë në vendet aleate.
“Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë jo vetëm për mbështetje, por edhe për angazhim të vërtetë nga më shumë se një miliard njerëz që jemi të përkushtuar t’i mbrojmë”, tha Dragone.
Gjatë takimit, komandanti i Komandës Supreme Aleate për Evropën (SACEUR), gjenerali Aleksis G. Grinkeviç, i informoi shefat e shtatmadhorive mbi gatishmërinë e NATO-s për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen kolektive të Aleancës. Komandanti i Komandës Supreme të Forcave Aleate për Transformim, Admirali Pier Vandie, përshkroi vizionin e tij për të ardhmen, duke përfshirë mënyrën se si NATO po përshpejton ofrimin e aftësive kyçe për të siguruar që forcat e Aleancës janë të përgatitura për kërcënimet aktuale dhe rreziqet e ardhshme të sigurisë. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu partneriteteve, duke përfshirë Këshillin NATO-Ukrainë, Partnerët Indo-Paqësor dhe Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, gjenerali Lafçiski mori pjesë aktive në diskutime mbi çështjet që lidhen me sfidat globale të sigurisë, gatishmërinë e Aleancës për parandalimin dhe mbrojtjen, ndërveprimin, kërcënimet, rreziqet dhe sfidat, si dhe bashkëpunimin me vendet partnere. Në prezantimin e tij, ai theksoi angazhimin e Armatës ndaj sigurisë rajonale përmes pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse, operacionet dhe aktivitetet e NATO-s jashtë vendit, kryesisht në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), operacionin e BE-së “ALTEA” në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në aktivitetin e NATO-s “Forward Land Forces – FLF” në Bullgari dhe Rumani.
Në margjinat e takimit, gjenerali Lafçiski zhvilloi një takim dypalësh me shefin e Shtatmadhorisë së Hungarisë, gjeneralin Gabor Berendi, në të cilin u diskutua thellimi i bashkëpunimit ushtarak dypalësh me theks në stërvitjen e përbashkët midis anëtarëve të Armatës dhe Forcave të Armatosura Hungareze, si dhe mbi mundësitë për pajisje dhe modernizim.
Gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Belgjikës, gjenerali Lafçiski u takua me pjesëtarë të Armatës të vendosur në Përfaqësinë Ushtarake Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në takimin, të kryesuar nga kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Xhuzepe Kavo Dragone, morën pjesë gjenerali Aleksis G. Grinkeviç dhe komandant admirali Pier Vandie, si dhe shefat e Shtatmadhorive të 32 shteteve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues nga partnerët Indo-Paqësorë të NATO-s, Gjeorgjia dhe Ukraina.


