Komuna e Çairit ka filluar procedurat ligjore për rrënimin e objektit ilegal të ndërtuar mbi çatinë e një shtëpie në afërsi të kompleksit “26 Korriku”. Hapi i radhës është që vendimi apo procesverbali të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe në dy gazeta ditore e pas kësaj vijon dhe hapja e tenderit për rrënim.
“Veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe procedurat për rrënim, do të ndërmerren pas përfundimit të fazave ligjore përkatëse”, thonë nga Komuna e Çairit.
Kreu i komunës së Çairit Izet Mexhiti për Alsat njoftoi se investitori edhe pse i panjohur është paralajmëruar paraprakisht por nuk ka përfillur urdhrin dhe ka vazhduar punimet. Atë nuk e njeh as Inspektorati i Ndërtimit. Por megjithatë, procedura është e njëjtë. Nëse ai nuk paraqitet pas publikimit në gazetë, do të veprojë komuna.
“Vendimi që të bëhet i plotfuqishëm duhet ti kalojë këto instanca. Vendim për çka, për rrënim?
Vendim për rrënim. Dmth në rastin në fjalë kur i përmend gazetën zyrtare dhe gazetat ditore, kjo i jep një mundësi investitorit të panjohur të paraqitet dhe ligjërisht i jepet mundësia që ai ta largojë atë objekt pa leje… Jo, ne nuk kemi informacion se kush është investitori por në rastin konkret është irelevante e dimë apo nuk e dimë. Edhe po ta dimë ose mos ta dimë, procedura ligjore është e njëjtë”, deklaroi Zuhejr Rexhepi – Drejtor i Inspektoratit për Ndërtim dhe Urbanizëm.
Rexhepi njoftoi se Inspektorati ka kompetencë vetëm të ndjekë procedurën ligjore dhe të asistojë në rast nevoje dhe këtë e bën për çdo komunë. Megjithatë, problem ngelet veprimi final i çdo komune pasi shpesh komunat përballen me mos paraqitje të kompanive që duhet të realizojnë punimet për rrënim. Praktika për ndërtim pa leje edhe përskaj paralajmërimeve nga komuna nuk është një gjë e re pasi bashkëpunimi i pa mjaftueshëm dhe mungesa e inspektorëve komunalë ka pamundësuar rrënimin e atyre objekteve.


