Shkruan: Sejid Emin, “TIMEBALKAN”
Shkruarja një tekst jashtë aktualitetit pas ndjekjes së lajmeve ditore, shkrimit dhe përkthimeve, kërkon një rigrumbullim të vëmendjes. Dita ditës kjo po bëhet më vështirë në epokën digjitale dhe të inteligjencës artificiale. Në disa raste, nuk mund të them se nuk e shoh shpërqendrimin dhe mungesën e përqendrimit si një justifikim për “përtacinë”. Megjithatë, kur bëhet fjalë për të shkruar, nuk është e vështirë të lë gjithçka mënjanë, të përvjelish mëngët dhe të mbledhish vëmendjen.
Në këtë shkrim do të përpiqem të ndaj me ju shënimet dhe reflektimet e mia mbi librin “Vëmendja e Vjedhur” të Johan Hari-t, i cili, përmes një hulumtimi të thelluar, nxjerr në pah “mungesën e vëmendjes” si një nga dëmet më të mëdha që epoka digjitale i shkakton individit dhe që më ka ndikuar thellë gjatë leximit.
Para se të kalojmë te libri, do doja të bëj një vështrim në kuptimet fjalorike të fjalës “vëmendje”, e cila definohet si “përqendrimi i gjithë fuqisë së ndjenjave dhe mendimeve në një pikë ose temë” dhe “të tregosh kujdes, t’i japësh rëndësi, të shohësh me interes dhe ta mbrosh”. Këto denifime tregojnë se, pavarësisht se për çfarë mendojmë apo çfarë pune bëjmë, duhet ta bëjmë duke përqendruar fuqinë mendore dhe emocionale në një pikë. Të gjitha ekranet që përdorim në epokën e re digjitale, përkundrazi, na sugjerojnë të kundërtën. Pikërisht këtu fillon problemi.
Kur e shohim librin “Vëmendja e Vjedhur”, ai spikat si një vepër që argumenton se shpërqendrimi në botën moderne nuk është një problem i vullnetit individual, por rezultat i faktorëve më të gjerë strukturorë, që shtrihen nga kompanitë e teknologjisë dhe modelet e biznesit, deri te sistemi arsimor dhe kultura e punës.
Në hulumtimin e tij, autori vëzhgon dizajnimin e platformave të rrjeteve sociale sipas ekonomisë së vëmendjes për të na mbajtur vazhdimisht në gjendje gatishmërie, ritmet tepër të përshpejtuara të jetës, pritshmëritë institucionale që pengojnë përqendrimin e thellë dhe faktorët e stresit mjedisor që formësohen që nga fëmijëria, duke theksuar se kriza e vëmendjes është një çështje shoqërore shumëdimensionale.
Libri, duke u mbështetur si në studime shkencore ashtu edhe në përvojat personale të autorit, pohon se rindërtimi i kapacitetit tonë të vëmendjes nuk kufizohet vetëm në disiplinën personale; përkundrazi, kërkon ndryshime kolektive me shtrirje të gjerë, nga politikat e teknologjisë deri te planifikimi urban.
Siç thekson edhe İbrahim Kalın në librin e tij të fundit, ku trajton filozofinë e qenies:
“Hazdonizmi modern, i reduktuar në një vorbull të prodhimit–konsumit, na ofron lojëra të përkohshme për të ikur nga problemi i kuptimit dhe qëllimit; na jep kënaqësi, na argëton, por nuk e zgjidh problemin. Në fund të çdo seance kënaqësie, e njëjta dhimbje dhe plagë ekzistenciale rikthehet.”
Nuk duhet as të dorëzohemi pas kënaqësisë dhe shpejtësisë, as të qëndrojmë plotësisht jashtë kësaj epoke duke qenë “offline”. Duhet t’i kthehemi realitetit duke vendosur në qendër dy koncepte të rëndësishme: “vetëdijen” dhe “ekuilibrin”. Edhe pse nuk është e lehtë ta arrijmë këtë në një epokë ku jetojmë brenda një sistemi që çdo ditë hedh acid mbi vëmendjen tonë, por kjo betejë duhet të nisë diku, përmes një edukimi efektiv për shkrim-leximin mediatik.
Gjatë leximit të librit, fjalia që më tërhoqi më shumë vëmendjen dhe më tronditi ishte kjo:
“Kur vëmendja na shpërqendrohet nga një pikë të përqendruar, na duhen mesatarisht 23 minuta për t’u rikthyer në të njëjtën gjendje përqendrimi.”
Pavarësisht se çfarë pune bëjmë, me shpërqendrimin e dytë, të tretë apo të katërt (përfshirë një tingull të vogël njoftimi, ndriçimin e ekranit të telefonit ose orës inteligjente), koha për të arritur sërish të njëjtin fokus rritet në mënyrë eksponenciale…
Kur e lexova këtë hulumtim, u trondita nga fakti se pamundësia për ta përfunduar një libër të nisur, rënia e kohës së leximit, pamundësia për reflektim të thellë, lënia e një pune përgjysmë, mungesa e komunikimit, pamundësia për të krijuar miqësi dhe rënia e socializimit, lidhen drejtpërdrejt me këtë konstatim. Si hap të parë, hoqa orën inteligjente nga dora (dhe që nga ajo ditë ende nuk e kam vënë). I çaktivizova njoftimet në shumë platforma të rrjeteve sociale gjatë pjesëve të rëndësishme të ditës. A është e mjaftueshme? Sigurisht që jo. Por duhej të filloja diku.
A është ajo që na vjedh vëmendjen vërtet dizajni i qëllimshëm i kompanive të teknologjisë, apo gjendja jonë e integrimit vullnetar në ritmin e jetës moderne? Mbyllja e njoftimeve, mosmbajtja e orës inteligjente apo kufizimi i kohës së ekranit mund të jenë një fillim; megjithatë, mbetet e diskutueshme se në çfarë mase këto mund të tronditin strukturat globale që mbajnë gjallë ekonominë e vëmendjes. Këtu duhet të vihet në pikëpyetje kufiri i përpjekjeve individuale dhe se nga kush dhe si mund të vijë vullneti i nevojshëm për transformim shoqëror.
Në epokën digjitale, jemi nën bombardim informativ duke u përballur çdo ditë me miliona përmbajtje. Sa më shumë informacion të pompohet, aq më pak kohë kanë njerëzit për t’u përqendruar në një pjesë të vetme të tij. Aktualisht, është sikur po përpiqemi të pimë ujë nga një zorrë zjarrfikëse.
Në libër thuhet se “është vërtetuar se shpërqendrimi i vazhdueshëm ka një efekt po aq të dëmshëm sa konsumimi i alkoolit deri në dehje”. Kjo tregon qartë seriozitetin e situatës. Nëse dëshironi të bëni një punë të mirë, nuk ka rrugë tjetër përveçse të përqendroheni me vëmendje në një gjë të vetme në të njëjtën kohë. Ngadalësia ushqen aftësinë e vëmendjes, ndërsa shpejtësia e dëmton atë. Pikërisht këtu më vijnë ndër mend fjalët e Kemal Sayar-it:
“Për të dashur duhet të ndajmë kohë. Për të ditur, kemi nevojë për kohë. Bukurinë e dallojmë vetëm duke i kushtuar kohë. Pjekurinë e arrijmë me kohë. Ju lutem, ecni ngadalë.”
Autori thotë se një nga faktorët më të rëndësishëm për të parandaluar shpërqendrimin është rrjedha. Që të ketë rrjedhë, e gjithë fuqia e trurit duhet t’i kushtohet një detyre të vetme. Për ta arritur rrjedhën, duhet të zgjedhim një synim të vetëm, të jemi të sigurt se ky synim ka kuptim për ne dhe të përpiqemi ta sfidojmë veten deri në kufijtë e aftësive tona. Rruga më efektive për të dalë nga shpërqendrimi kalon përmes gjetjes së rrjedhës suaj. Duhet të pastrojmë elementët që krijojnë shpërqendrim dhe t’i zëvendësojmë me burime rrjedhe.
Sipas një tjetër hulumtimi në libër, “kohëzgjatja e gjumit tonë është ulur me 20 për qind vetëm gjatë njëqind viteve të fundit”. Gjatë gjumit, truri dhe trupi ynë kryejnë riparime. Sa herë që ndezim një dritë (dritat e ekraneve), pa e kuptuar po marrim një “ilaç” që ndikon në gjumin tonë. Kur jemi në gjumë, nuk shpenzojmë para, pra nuk konsumojmë asgjë. Rikthimi te një gjumë i shëndetshëm dhe i mjaftueshëm “krijon një efekt tërmeti për sistemin ekonomik”.
Shumë nga ato që duhet të bëjmë janë aq të qarta dhe të zakonshme: të ngadalësojmë, të bëjmë një punë të vetme në të njëjtën kohë, të flemë më shumë. Të gjithë e dimë fort mirë se këto janë të sakta, por veprojmë në drejtim të kundërt. Jetojmë në hendekun midis asaj që dimë se duhet të bëjmë dhe asaj që ndiejmë se mund të bëjmë.
Edhe pse koncepte si “rrjedha”, “përqendrimi” dhe “ngadalësimi” duken se ofrojnë zgjidhje efektive për të dalë nga shpërqendrimi, ato ngrenë disa pyetje: A është vërtet e mundur zbatimi i këtyre koncepteve në përputhje me pritshmëritë e botës së sotme të punës dhe jetës shoqërore? Në një epokë ku të qenit vazhdimisht i arritshëm është bërë normë, a është e mundur përqendrimi afatgjatë në një punë të vetme vetëm përmes vullnetit individual, apo kërkon riorganizimin e kushteve të punës? Po ashtu, ndërsa theksohet se gjumi, qetësia dhe koha duhet të marrin vendin që meritojnë, sa e qëndrueshme mund të jetë përpjekja individuale pa politika mbështetëse dhe ndryshime në kulturën institucionale?
Si përfundim, erozioni i vëmendjes me të cilin përballemi në epokën digjitale shfaqet jo vetëm si një dobësi individuale, por si një pasojë e pashmangshme e një mënyre jetese të formësuar në mënyrë sistematike. Kufizimi i njoftimeve, zvogëlimi i kohës së ekranit, ngadalësimi apo përqendrimi në një punë të vetme janë padyshim hapa të rëndësishëm; megjithatë, që këto përpjekje të jenë të qëndrueshme, kërkohet edhe përballja me kufijtë e kulturës së shpejtë dhe të orientuar drejt konsumit në të cilën jetojmë. Siç e shtron Hari, mbrojtja e vëmendjes sonë nuk është vetëm një betejë personale; ajo e bën të domosdoshëm një transformim kolektiv të mentalitetit në shumë fusha, nga kushtet e punës dhe politikat e teknologjisë, deri te arsimi dhe jeta urbane.
Prandaj, detyra kryesore qëndron në zhvillimin e një qëndrimi më të vetëdijshëm, më sfidues dhe më të përgjegjshëm, si ndaj vetes ashtu edhe ndaj shoqërisë ku bëjmë pjesë. Rivendosja e ekuilibrit, çlirimi nga sundimi i shpejtësisë dhe rindërtimi i vëmendjes jo si një luks, por si një mënyrë ekzistence, mund të jenë të mundshme vetëm me këtë vetëdije. Vogëlsia e hapave individualë nuk duhet të na shtyjë drejt dëshpërimit; sepse çdo fillim mund të jetë pjesa më e çmuar e betejës për ta rifituar vëmendjen tonë.


