Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj raportit më të fundit të Transparency International, sipas të cilit Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendesh në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin e 88-të nga gjithsej 180 shtete, me 40 pikë.
Nga ASH vlerësojnë se ky regres nuk është thjesht statistikor, por pasojë direkte e problemeve politike dhe institucionale. Sipas partisë, fakti që vendi humb 12 pozita me vetëm dy pikë më pak krahasuar me vitin 2023 tregon për dëmtim serioz të perceptimit mbi sundimin e ligjit.
Aleanca për Shqiptarët thekson se rënia lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet e kontestuara në Kodin Penal, të cilat, sipas saj, janë perceptuar gjerësisht si përpjekje për amnisti të fshehtë dhe mbrojtje të funksionarëve të përfshirë në korrupsion.
“Këto veprime kanë minuar besimin e qytetarëve, kanë dëmtuar rëndë sundimin e ligjit dhe kanë dërguar sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në reagim, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet me deklarata, por me ligje të forta, institucione të pavarura dhe përgjegjësi reale.
ASH kërkon rishikim urgjent të ndryshimeve në Kodin Penal që, sipas saj, dobësojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe garantim të pavarësisë reale të gjyqësorit dhe prokurorisë, pa ndikim politik.
Po ashtu, partia insiston në transparencë dhe llogaridhënie për çdo vendim që cenon interesin publik, si dhe në hartimin e strategjive konkrete dhe të matshme për luftë efektive kundër korrupsionit.
“Pa drejtësi nuk ka besim. Pa besim nuk ka integrim evropian. Çdo hap prapa në luftën kundër korrupsionit është hap prapa për shtetin dhe për qytetarët”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.


