Pavarësisht reshjeve të borës, qarkullimi në rrugët e Komunës së Haraçinës po zhvillohet normalisht, ka njoftuar kryetari i komunës, Daut Beqiri. Sipas tij, menjëherë pas reshjeve ka pasur koordinim të drejtpërdrejtë me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, ndërsa ekipet përkatëse kanë dalë në terren dhe po kryejnë pastrimin e rrugëve. Beqiri ka apeluar drejtuesit e automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. “Pavarësisht reshjeve të borës, qarkullimi në rrugët e komunës tonë po zhvillohet normalisht Menjëherë pas reshjeve, kam qenë në koordinim të drejtpërdrejtë me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, dhe ekipet e tyre janë në terren duke kryer pastrimin e rrugëve. Apeloj te drejtuesit e automjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit”, ka theksuar Beqiri.
Ndërkohë, edhe Komuna e Sarajit ka angazhuar ekipet e saj për menaxhimin e situatës nga reshjet e borës. Kryetari i komunës, Muhamet Elmazi, ka bërë të ditur se ekipet komunale janë në terren dhe po punojnë me intensitet të shtuar për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit të lirë në rrugët e komunës.
Elmazi theksoi se prioritet u është dhënë rrugëve kryesore, institucioneve publike dhe shkollave, ndërsa ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Ai njëkohësisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve kompetente. “Të nderuar qytetarë, Ekipet e Komunës së Sarajit janë në terren dhe po punojnë me intensitet të shtuar për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit të lirë në rrugët e komunës sonë. Prioritet u është dhënë rrugëve kryesore, institucioneve publike dhe shkollave. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Ju ftojmë që të tregoni kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të respektoni udhëzimet e autoriteteve kompetente”, ka apeluar Elmazi.
Të dy kryetarët e komunave siguruan se institucionet lokale mbeten të përkushtuara për të garantuar sigurinë dhe shërbime efikase për qytetarët edhe në kushtet e motit dimëror.





