Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar pas tre muajsh hetime me metoda proaktive operacionin e koduar “Anëtarët”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shitjen e armëve të zjarrit.
Si rezultat i operacionit, janë vënë në pranga tre pjesëtarë të grupit, të gjithë me precedent penal, ndërsa një tjetër shtetas është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Dy nga të arrestuarit u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në zonën e Tufinës, në momentin kur po tentonin të shisnin dy armë zjarri kallashnikov.
Të arrestuarit janë:
I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe për mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi kriminal.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej 5 armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe Freskut.
Sipas Policisë, nga hetimet rezulton se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, duke tregtuar armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës. Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë.


