Pas gati një jave në Azi, Giorgia Meloni u kthye mbrëmë në Romë, por telefoni i saj nuk ka pushuar. Edhe gjatë fluturimit nga Koreja, kryeministrja italiane ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me aleatët evropianë, në një moment delikat për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe BE-së, me Groenlandën në qendër të përplasjes.
Meloni është plotësisht e rreshtuar me Ursula von der Leyen: objektivi është i qartë, të shmanget çdo përshkallëzim që mund të çojë në pasoja të paparashikueshme. Madje, ajo ka marrë edhe vlerësime, të drejtpërdrejta dhe indirekte, si nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, për një veprim që kërkon guxim politik: telefonatën ndaj Donald Trump, për t’i thënë se po gabon.
Në prag të Këshillit Evropian të së enjtes, Meloni po ndjek një linjë maksimalisht diplomatike. Në kontaktet me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe liderin gjerman Friedrich Merz, ajo shtyn për një marrëveshje të gjerë, edhe pse të ndërlikuar, mes Danimarkës, BE-së dhe SHBA-ve për shfrytëzimin e Groenlandës. Por sipas saj, një shpërshkallëzim real mund të ndodhë vetëm nëse palët kalojnë nga kërcënimet në tryezën e dialogut.
Pikërisht këtu lind përplasja me Francën. Edhe pse Meloni i kupton shqetësimet e Parisit, ajo nuk e ka mirëpritur reagimin e menjëhershëm francez për aktivizimin e të ashtuquajturit “Instrument anti-koercizues”, një “bazukë” tregtare që do t’i lejonte Brukselit të mbyllë tregun evropian për kompani amerikane. Procedura është e gjatë dhe komplekse, por në këtë kohë, sipas Romës, Trump nuk do të rrinte duarkryq.
Italia, në këtë pikë, rreshtohet me Berlinin, i cili e sheh “bazukën” si mjet ekstrem, një “ultima ratio”. Meloni po përpiqet të ndërtojë një bosht minimal mes Romës, Berlinit dhe Londrës. Një mision i vështirë, sidomos pasi, sipas saj, dërgimi i trupave evropiane në Groenlandë ka minuar përpjekjet e nisura më herët në kuadër të NATO-s, në bashkëpunim me SHBA-të.
Në Bruksel, Meloni nuk dëshiron as ta dëgjojë fjalën “bazukë”. Ajo e konsideron një reagim ku humbasin të gjithë. Ndërsa në korridoret e BE-së ka zëra që flasin për masa drastike, si mbyllja e tregut për Google apo X, Roma e sheh këtë skenar si tepër të rrezikshëm.
Nëse Parisi këmbëngul, Italia mund të lërë të kuptohet se krijimi i një pakice bllokuese është i mundur, veçanërisht pasi “Instrumenti anti-koercizues” kërkon një shumicë super të kualifikuar për t’u miratuar.
Ndërkohë, në bisedimet me Uashingtonin po merr formë një bindje e re: interesi real i Trump për Groenlandën nuk lidhet aq me bazat ushtarake, por me zonat ekonomike ekskluzive dhe shfrytëzimin e platformës kontinentale, pra pasuritë nënujore dhe burimet natyrore.
Sipas Palazzo Chigi, Trump beson se Danimarka e vetme nuk është në gjendje t’i mbrojë këto të drejta përballë manovrave të mundshme të Rusisë dhe Kinës. Kjo e zhvendos fokusin nga një konflikt politik apo ushtarak, drejt një marrëveshjeje ekonomike.
Me këtë dosje në dorë, Giorgia Meloni do të ulet në tryezën e Këshillit Evropian pas dy ditësh, duke u përpjekur të ftohë tensionet dhe të mbajë Evropën larg një përplasjeje të hapur me SHBA-të.
/tvklan.al


