Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar se së bashku me një delegacion qeveritar të rangut të lartë do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Sipas Mickoskit, delegacioni qeveritar do të jetë pjesë e takimit të 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku pritet të zhvillohen një sërë takimesh të rëndësishme me fokus përmirësimin e situatës ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Gjatë ditëve në vijim do të kemi takime të shumta që presim të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe në tërheqjen e një numri të madh investimesh. Do të marr pjesë në tre panele ku do të prezantoj mundësitë e investimit në Maqedoni, si dhe do të zhvillojmë takime dypalëshe me përfaqësues të shumë kompanive nga e gjithë bota”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Mickoski.


