Rufat ALILI
Në shoqëritë që fillojnë të kalbëzohen, politika bëhet teatër. Klikat politike, të cilat e kanë gropuar sistemin demokratik që t’i shërbejnë pushtetit të korruptuar, sundojnë nëpërmjet imazheve dhe shfaqjeve. Në njërën anë ata publikisht shfaqin pakënaqësinë e tyre me qeverinë dhe bëhen me popullin, të cilin me shumë se një dekade të tërë e kanë nënçmuar, ndërsa në anën tjetër denjësisht janë të kapur për pushtetin dhe përfitimet e tij, madje shfaqin imazhin e sundimtarit te pakontrolluar. Në këtë teatër po sa ndizen dritat dhe fillon shfaqja e zgjedhjeve parlamentare, ata fillojnë ta lexojnë skenarin e përgatitur “patriotik” – simbolet dhe fjalimet duke u përcjellë me të gjitha emocionet e tjera shtesë për të arritur katarsisin ose pastrimin shpirtëror nga krimi i bërë. Por, sa përfundojnë dritat e shfaqjes zgjedhore, ata votën e popullit e përdorin si monedhë partiake për të luajtur bixhozin politik në kazinotë e këtij shteti për përfitime të tyre personale e grupore.
Ne jetojmë në kohën e nihilizmit moral dhe kjo periudhë kohore është produkt i çdo gjëje tonën të degraduar nga Partia. Veçanërisht ato institucione në të cilat kultivohet dhe kalitet humaniteti njerëzor. Disiplinat humane, të cilat na shtyjnë që të ndalemi dhe pyetemi për çështjet më thelbësore morale të qëllimit dhe kuptimit të të qenit, si të reflektojmë dhe të jemi kritik ndaj paragjykimeve, si të sfidohen strukturat, janë tërësisht të vyshkura e zvetënuara. Shkollat dhe universitet, që duhet t’i iniciojnë dhe promovojnë këto vlera intelektuale dhe morale, për të qenë në shërbim të vërtetës, janë të pervertuara. Gjunjëzimi para kultit të Unit, i konstruktuar dhe elaboruar mirë nga arkitektet e kësaj shoqërie, e bëjnë sinqeritetin, sakrificën për tjetrin dhe dhembshurinë për të shtypurit, të varfrit dhe të burgosurit e pafajshëm, të pamundur. Andaj, mirësia në këtë lloj shoqërie është e definuar në bazë të parimit të parasë dhe pushtetit. Virtyti – “Vesi “më i lartë dhe më i çmuar është aftësia për të manipuluar. Në këtë kohë tmerri dhe rreziku nga morali i kolapsuar është më i madh se ekonomia dhe varfëria jonë, e cila na ka kapluar.
Pushteti i korruptuar e mbanë lart si ideal të vetin atë që Adorno e quan “Karakter Manipulativ” Qëllimi i këtij karakteri është që ta ndryshojë perceptimin e masave nga gjendja reale në te cilën ata janë, duke përdorur truqet mashtruese dhe abuzimin, për t’i kontrolluar ata deri në pafundësi. Ja disa tipare të këtij karakteri:
Mohimi – manipulatori mohon të pranojë përgjegjësi për gabimet e bëra politike. Si rastet e montuara politike të Sopotit, Monstrës e shumë të tjera.
Racionalizimi – dëshira për ta shfajësuar veten për paaftësinë dhe injorancën politike, si dhe pamundësia që ato t’i pranojnë, duke bërë minimizimin ose barazimin e dy çështjeve të ndryshme si të njëjta. Kjo është si aprovimi i luanit në stemën e Maqedonisë, me arsyetim për elementin shqiptar në të.
Projektimi i fajit tek të tjerët – si barriera për mosrealizimin e të drejtave tona kombëtare e ekonomike, pa reshtur do ta përmendin mosanëtarësimin në BE dhe NATO.
Legjitimiteti politik – e përdorin për ta rritur vetëbesimin dhe forcën për ta nënshtruar popullin përballë qëllimeve të tyre personale e grupore për përfitime materiale në kurriz të qytetarëve.
Për t’i arritur këto objektiva, manipuluesi përdor teknikat e spinit politik deri nnë pafundësi.
Adorno shprehet se ky lloj karakteri i ka dy tipare të veçanta: aftësi organizative të pakontestueshme për t’i manipuluar masat dhe pamundësi që të kenë eksperiencë autentike njerëzore. Ky lloj personaliteti është emocionalisht i shkatërruar dhe tërësisht i shndërruar ne skllav të pushtetit. Ai ose ajo është eksluzivisht i/e dresuar ta mbajë gjallë këtë lloj sistemi dhe strukture politike. Mu për këtë shkak pushtetarët harxhojnë shuma të majme parash dhe forma të tjera stimulimit që këto personalitete t’i shndërrojnë në kulte të suksesit, që si konsekuencë pushteti i tyre të jetë i përjetshëm.
Adorno na këshillon se: “Është shumë e rëndë ta luftosh këtë lloj të keqe, për shkak se njerëzit manipulativë janë të privuar nga përvojat e vërteta njerëzore. Mu për këtë arsye ata shfaqin pandjeshmëri dhe ata kategorizohen në grupin e personave me të meta mentale psikike, gjegjësisht skizofrenë”.
Për t’i bërë ballë kësaj force të keqe për mos të na gllabëruar, duhet të reflektojmë dhe emërtojmë fenomenet e këtilla për transformimin e dëshpërimit tonë në një veprim konkret.
Atributi i vetëm më kualitativ që i nevojitet njeriut për t’i rezistuar kësaj të keqe është autonomia morale. Ajo është e mundur sipas Immanuael Kant-it me vetëreflektim, vetëdeterminim dhe guxim për moskolaborim me të keqen në të gjitha format e saj.