Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Para se të jepen ide të ndryshme për rregullime kushtetuese dhe ligjore të çështjeve të ndryshme, është e udhës që ato të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane në mënyrë që të zbatohen në praktikë dhe të përmirësohen në të ardhmen.
Për rëndësinë e standardeve ndërkombëtare dhe evropiane, flet shembulli i nenit 9 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve i cili mes tjerash, parasheh edhe udhëheqjen e të gjitha procedurave gjyqësore edhe në gjuhën shqipe, mirëpo edhe përkundër sanksioneve (gjobave) të larta (4000-5000 EUR) për çdo shkelje, kjo dispozitë ligjore fare nuk zbatohet në praktikë pra, ka 0% zbatim sepse tashmë 7 vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji nuk ka asnjë procedurë gjyqësore në asnjë gjykatë në Maqedoni që është udhëhequr edhe në gjuhën shqipe! Prandaj, si ndodhi që, në asnjë gjykatë të themeluar për komunat ku përqindja e shqiptarëve është 20% e tutje, deri tani të mos zbatohet fare ligji i gjuhëve. A është faji te formulimi i nenit 9 i cili fare nuk e merr parasysh lokacionin se ku ndodhet gjykata apo faji është te gjykatat ose te palët apo te mosrespektimi i standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.
Ose për shembull, neni 8 i Ligjit të përdorimit të gjuhëve i cili përcakton se kartëmonedhat, monedhat dhe pullat postare duhet të përmbajnë simbole që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetarëve që flasin gjuhën maqedonase dhe qytetarëve që flasin gjuhën shqipe. Formulimi i këtillë i gabuar i këtij neni: “të përmbajnë simbole” në vend që “duhet të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe” (ligji rregullon përdorimin e gjuhëve e jo përdorimin e simboleve!) praktikisht dështoi që kartëmonedhat t’i bëjë dygjuhësore edhe pse ka shumë shembuj krahasimor të praktikës evropiane dhe botërore: në Qipro greqishtja dhe turqishtja përdoren në monedha dhe kartëmonedha; në Kanada kartëmonedhat janë në frëngjisht dhe anglisht; në Bahrein ato janë në arabisht dhe anglisht; në Izrael ato janë tregjuhëshe: hebraisht, arabisht dhe anglisht, në Serbi kartëmonedhat dhe monedhat janë të shkruara në shkrimin latin dhe cirilik, në Belgjikë para euros, ato ishin në tre gjuhë, në Zvicër kartëmonedhat janë në katër gjuhë, etj.
Prandaj, edhe lidhur me idenë që Gjykata Kushtetuese, pa shumicë badenteri të mos mund të shfuqizojë ose anulojë ligje të miratuara (ose dispozita të tyre) me këtë shumicë në Kuvend, duhet dalluar dy çështje të ndryshme: e para ka të bëjë me përbërjen e gjykatës kushtetuese dhe zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, dhe, e dyta ka të bëjë me procesin e vendimmarrjes së gjykatës kushtetuese.
Sa i përket çështjes së parë, standardet ndërkombëtare dhe evropiane për shoqëritë me diversitet etnik dhe gjuhësor rekomandojnë një përbërje pluraliste në kuptimin etnik dhe gjuhësor të gjykatave kushtetuese si një faktor i rëndësishëm që synon forcimin e legjitimitetit të nevojshëm shoqëror të gjykatës kushtetuese si mbrojtëse e kushtetutës, dhe Maqedonia i ka përmbushur këto standarde me Shtojcën A (Neni 109) të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe me Amendamentin Kushtetues XV të vitit 2001 nëpërmjet zgjedhjes së tre gjyqtarëve kushtetues me shumicë të dyfishtë, pra me të ashtuquajturën shumicë të madhe të Badenterit në Kuvend.
Mirëpo, lidhur me çështjen e dytë, që Gjykata Kushtetuese, pa shumicë badenteri të mos mund të shfuqizojë ose anulojë ligje të miratuara (ose dispozita të tyre) me këtë shumicë në Kuvend, në fakt do të thotë përfshirje e kritereve etnike dhe gjuhësore në procesin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, gjë që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe praktikën evropiane në përgjithësi dhe është e huaj për vetë natyrën si të gjyqësorit të rregullt ashtu edhe të gjyqësorit kushtetues.
Për shembull, ekzistojnë modele praktike të shteteve ku përzgjedhja e gjyqtarëve kërkohet të pasqyrojë përbërjen gjuhësore ose etnike të shoqërisë, por askund në botë nuk ka modele të gjykimit bashkëetnik, pra kërkesa etnike ose gjuhësore për një numër të caktuar gjyqtarësh që do të votonin në një mënyrë ose në mënyrën tjetër.
Kjo ide është në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane të etikës gjyqësore, pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve kushtetues dhe gjykimit të drejtë, sepse domethënë se gjyqtarët kushtetues nuk do të gjykonin objektivisht vetëm sipas kushtetutës, por edhe subjektivisht sipas diçkaje që është jashtë kushtetutës dhe në përgjithësi jashtë fushëveprimit të së drejtës duke futur kritere jojuridike (politike) në gjykimet kushtetuese.
Një ide e tillë është në kundërshtim edhe me standardin ndërkombëtar dhe evropian të kolegjialitetit të gjykatës kushtetuese si organ unik trupor shtetëror, në të cilin çdo gjyqtar kushtetues i zgjedhur është anëtar i gjykatës me të drejta të barabarta të votës që vepron në mënyrë të pavarur në cilësinë e tij personale dhe profesionale dhe jo si përfaqësues i një bashkësie të caktuar etnike ose gjuhësore, me ç’rast ky standard nënkupton edhe vendimmarrjen me shumicë votash, dhe në rast se nuk ka unanimitet midis gjyqtarëve kushtetues, atëherë vendimi i shumicës mbizotëron, dhe ideja e tillë në fakt praktikisht e rrënon vendimmarrjen me shumicë si një standard ndërkombëtar dhe evropian.
Në vitin 2005, për shkak të reformës së mundshme të Gjykatës Kushtetuese, Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjës dhe Hercegovinës, politikani britanik Pedi Ashdaun (Paddy Ashdown), nëpërmjet Shefit të Departamentit për Çështje Ligjore, iu drejtua Komisionit të Venecias me pyetjen: nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të jenë të vlefshme vetëm nëse të paktën një gjyqtar nga secili popull konstituiv e mbështet vendimin, për të cilën Komisioni i Venecias në përfundimin e tij dha një përgjigje negative, duke theksuar se rregulli që kërkon që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës të jenë të vlefshme vetëm nëse të paktën një gjyqtar nga secili popull konstituiv e mbështet vendimin është në kundërshtim me standardet evropiane dhe nuk mund të justifikohet nga situata specifike e këtij vendi dhe është në kundërshtim me një numër parimesh kushtetuese dhe mund të krijojë probleme serioze praktike.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)


