Gjykatës e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 8 të arrestuarit lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
Sipas vendimit të gjykatës, masa “arrest në burg” është caktuar për Komisarin Dezdemon Pazaj dhe dy inspektorët Sali Ferrollari dhe Fatjon Braçi.
Masa “arrest në shtëpi” është dhënë për Komisaren Violeta Uka dhe kryeinfermierin e burgut, Aulon Quku.
Ndërsa masa “detyrim paraqitjeje” është caktuar për Kryeinspektorët Dorjan Saraçi dhe Aranit Çela, si dhe për inspektorin Preng Marvataj.
Masat e sigurisë për të arrestuarit:
Komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Komisar Violeta Uka, punonjëse e Policisë së Burgjeve – Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi, punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitjeje
Inspektor Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Inspektor Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Inspektor Preng Marvataj, punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitjeje
Kryeinspektor Aranit Çela, punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitjeje
Kryeinfermier Aulon Quku, punonjës i IEVP Durrës – Arrest në shtëpi
Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.
Arrestimi i tij vjen pas shkarkimit nga detyra me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit, në Spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.
Plani i arratisë ishte i mirorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një “Audi A7”, me targë të vjedhur ditët të para të këtij viti.
Sipas të dhënave policore, dyshohet se ky automjet është kapur nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë duke bërë të mundur kështu edhe ushtrimin e dhjetëra kontrolleve në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë mbrëmjes së të martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës, por edhe në disa vende ku ai dyshohet se ka njerëz të besuar, ndërkohë që në fakt ende është e dyshimtë fakti që policia të ketë informacion të saktë mbi mjetin me të cilin mund të ketë lëvizur i arratisuri, pasi sipas informacioneve konfidenciale ka dyshime që numri i personave të përfshirë në realizimin e planit të Ndocit është i madh.
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregonin qartë se Ndoci zbriti nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.
Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Pamjet treguan gjithashtu momentin kur Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.
Ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku e priste “Audi”, me të cilin u arratis.
KUSH ËSHTË ALTIN NDOCI
Altin Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, si Arben Muço, i arrestuar në tentativë grabitjeje me armë në Fier më 2018.
Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Altin Ndocin me disa nga ngjarjet e dhunshme në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.


