Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, së bashku me drejtuesit e Departamentit për mbrojtjen e natyrës dhe shërbimin e renxherëve, realizuan kontrolle të zgjeruara në terren në Parkun Kombëtar Mali Sharr, konkretisht në zonën e Kodrës së Diellit, me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e vlerave natyrore të parkut. Gjatë kontrollit në terren, në pronë shtetërore, u konstatuan aktivitetet e skiimit me pesë makina ratrak nga një operator i caktuar, i cili nuk kishte lidhur kontratë ose marrëveshje të përshtatshme me Institucionin Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, siç parashikohet me Vendimin për regjimin e lëvizjes me automjete në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e Menaxhimit të parkut. Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre kontrolleve, menjëherë u mor masa për ndalimin e lëvizjes së ratrakëve të operatorëve që nuk përmbushën kushtet ligjore, pra ata që nuk kishin lidhur kontratë me institucionin për rregullimin e ushtrimit të aktivitetit turistik brenda territorit të parkut. Gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, punonjësit e Institucionit u penguan nga operatori përmes lëvizjes së ratrakëve, duke pamundësuar kështu zbatimin e detyrave të parashikuara me nenin 112 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Veprimet jolegjitime të operatorit krijuan rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e punonjësve të Institucionit, duke dëmtuar funksionimin normal të aktiviteteve institucionale dhe respektimin e legjislacionit në fuqi. Pas ngjarjes, do të dorëzohet një raport në Ministrinë e punëve të brendshme dhe në Inspektoratin shtetëror për mbrojtjen e mjedisit dhe planifikimin hapësinor. Institucioni i kujton publikun se ushtrimi i aktivitetit të skiimit me ratrak në Parkun Kombëtar Mali Sharr lejohet vetëm në zonat e përcaktuara për menaxhim aktiv, jashtë zonës së mbrojtjes së rreptë, dhe vetëm në përputhje të plotë me kushtet ligjore dhe kontraktuale. Përmes marrëdhënieve kontraktuale vendoset një regjim i qartë lëvizjeje, mbikëqyrjeje dhe përgjegjësie për operatorët, me qëllim kufizimin e ndikimit të aktiviteteve të motorizuara mbi habitatet e ndjeshme, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ekuilibrit ekologjik të parkut. Shërbimi i renxherëve i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara në terren, si dhe me marrjen e masave ligjore për çdo shkelje të konstatuar, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për mbrojtjen e natyrës. Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj menaxhimit të qëndrueshëm të zonës së mbrojtur, zhvillimit të turizmit të përgjegjshëm dhe ruajtjes së vlerave natyrore, në interes të publikut dhe të brezave të ardhshëm.
Data 16.01.2026
Aktuale
- Vaksinimi masiv: Më shumë se 11 mijë qytetarë të Prishtinës mbrohen nga gripi sezonal
- Arrestimi i ish-drejtorit të burgut të Durrësit pas arratisjes së Altin Ndoci, policia jep njoftim: Vihet në pranga 48-vjeçari!
- (VIDEO) Mickoski pa datë për takimin me Ahmetin, pret miratimin e ligjit për kundërvajtje
- (VIDEO) Grup kriminal bënte evazion fiskal e larje parash
- I mori 8 mijë euro klientit për të ndikuar te drejtësia, GJKKO jep dënimin për avokatin Besart Logu
- Gjysmëvjetori i dytë nis më 20 janar, nuk ka shtyrje
- Masa ligjore dhe ndërprerje e aktiviteteve të jashtligjshme në Kodrën e Diellit
- LSM paralajmëron protestë: Jo vetëm pagat minimale, por të gjitha pagat duhet të rriten


