EMISIONI VETTING
Në maj të vitit 2020, Këshilli i Ministrave miratoi “Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035”.
Ky plan sipas qeverisë, do të jetë dokumenti kryesor planifikues në fushën e menaxhimit të mbetjeve bashkiake, jo-bashkiake dhe të rrezikshme në Shqipëri, duke mbuluar periudhën kohore prej 15 vitesh. Parashikimet e tyre përfshijnë konceptin “zero mbetje”, në mënyrë që mbetjet të grumbullohen dhe të trajtohen si lëndë të para.
Po ashtu, supozohet se ky dokument do të ndihmojë Shqipërinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke përmbushur çdo detyrim. Përgjegjësia e realizimit të këtyre detyrave iu vu institucioneve si Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe bashkive vendore.
Edhe pse iu kërkohej të raportonin në 10 shkurt të çdo viti pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, problematikat dhe një nivel i ulët i përmirësimit të situatës u shfaqën përsëri në raportin vjetor të monitorimit për periudhën 2020-2021. Ky raport është i fundit i paraqitur në lidhje me përditësimin e informacioneve për gjendjen mjedisore për dokumentin e menaxhimit të integruar të mbetjeve 2020-2035.
Deri në vitin 2020 mungonin të dhëna në lidhje me sasinë apo llojet e mbetjeve të rrezikshme. Po ashtu, theksohej mungesa e një infrastrukture të duhur, bazë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Progresi në po të njëjtën çështje nuk dukej në horizont për vitin 2021.
Gjithsesi po në vitin 2021, qeveria shqiptare vendosi të firmoste një marrëveshje financimi midis saj dhe Bankës Gjermane KFVV për një kredi të butë prej 50 milionë eurosh për ndërtimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve. Kësaj shume iu shtua edhe një grant prej 11.9 milionë eurosh. Pjesë e këtyre financimeve do të ishte po ashtu pastrimi i ndërmarrjeve nga mbetjet e rrezikshme.
Megjithatë, Raporti i Gjendjes se Mjedisit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit i vitit 2023 theksoi se sistemi aktual shqiptar i menaxhimit të mbetjeve nuk mjafton, është joefikas dhe nuk ka as kapacitete financiare e as kapacitete teknike.
Në po të njëjtin dokument strategjik përmendet një institucion, i ndërvarur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për Qendrën e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme në Elbasan. Ky nëninstitucion parashikohet të ketë detyrën e reduktimit të rrezikut të ndotjes mjedisore nga mbetjet e ish-ndërmarrjeve.
“Lindur” nga një vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 2015, e vendosur në fshatin Balëz, kjo qendër ka godina gjysmë harkore, të cilat ende ruajnë hijen e pamjes industriale të një shekulli më parë. Ndërkohë, askush nuk jep një përgjigje se çfarë do të ndodhi me sasitë e mbetjeve me kimikate të gjendura në sipërfaqet e këtyre ish-ndërmarrjeve, të cilat kanë marrë jetë njerëzisht dhe rrezikojnë ende mijëra jetë të atyre që jetojnë pranë këtyre ndërmarrjeve.
Institucionet ende nuk përditësojnë informacionet e nevojshme, për të ditur më shumë rreth gjendjes aktuale mjedisore dhe rreziqeve që mund t’i kanosen banorëve, paçka se mbi 60 milionë euro financim janë nënshkruar me vendim të qeverisë shqiptare.
“Është gjynah që ky vendburim kaq me vlerë, t’u jepet të tjerëve, t’u lihet në dorë të tjerëve, kur specialistët tanë këtë vendburim e mbarështuan kaq mirë, sa s’ka ku të vejë më dhe i dinin të gjitha gjërat e nevojshme që i duheshin këtij burimi. Prandaj unë e kam thënë edhe herë të tjera që kjo pasuri nuk duhet të ishte në duart e të tjerëve”, rrëfen ish-zv.ministri Fatmir Shehu. “Prandaj duhen marrë masa urgjente, që kjo pasuri t’i kthehet popullit siç ka qenë, sepse ne i kemi mundësitë”.


