Gjykata e Posaçme ka pushuar kallëzimin penal dhe çështjen e ngritur me padinë për shpifje nga deputeti socialist Agron Malaj, ndaj kolegut të tij demokrat, nga i njëjti qark i Dibrës, për shpifje.
Mziu ka fituar gjyqin dhe vendimi është dhënë sot nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka evidentuar dy nga shkaqet për këtë rast: mosparaqitjen e Malajt dhe prezenca e një avokati pa shkaqe të arsyeshme.
Sipas dosjes, Agron Malaj me datë 5 qershor 2025, rreth një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit kur ishin zgjedhur deputetë, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Xhelal Mziu, i akuzuar për veprën penale “shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
Vendimi i GJKKO-së:
- “Viktima akuzuese Agron Malaj me datë 05.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Xhelal Mziu, i akuzuar për veprën penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 59, paragrafi i tretë, 112, 384, 485 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 3, datë 15.01.2026 vendosi:
- Pushimin e gjykimit të kërkesës së regjistruar pranë kësaj gjykate me nr.30/101, datë 05.06.2025 që i përket viktimës akuzuese Agron Malaj, kundër të akuzuarit Xhelal Mziu, akuzuar për veprën penale “Shpifja”, parashikuar nga neni 120 pika 2 e Kodit Penal, për shkak të mosparaqitjes së viktimës akuzuese Agron Malaj dhe mbrojtëses se zgjedhur personalisht prej tij, av.M.Gj, pa shkaqe të arsyeshme.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.


