U zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për dosjen e Koncesionit të Sterilizimit, ku i pandehur i mëvetësishëm është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka kërkuar proces të zakonshëm.
Sot u dëgjua edhe përgjigja e Drejtorisë së Burgjeve për kërkesën që ish-zyrtari i lartë socialist, i arrestuar prej dy vitesh, u ka bërë SPAK dhe Burgjeve, që ta lexojë dosjen në qeli e t’i mundësohet një kompjuter.
Por përgjigja e lexuar sot nga Burgjet ishte mohuese, sepse “nuk disponohet infrastruktura e nevojshme”.
“Nuk kemi infrastrukturën e nevojshme që të lidhim kompjuterin pa internet për kërkuesin”, janë shprehur Burgjet për GJKKO.
Beqaj pyeti në sallë nëse ka cituar ndonjë ligj apo rregullore Drejtoria e Burgjeve.
“Ftoj SPAK të shikojë ligjin e ri për koncesionet, botuar në fletoren zyrtare, SPAK nuk denjoi të bënte ekspertizën që ja kërkova që në hetimet paraprake, provat nuk u morën kurrë, sepse SPAK s’e përballoi dot presionin politik, ka instaluar metodën e persekutimit publik”, tha ai.
Më tej Beqaj tregoi dhe një histori në vitet e Komunizmit.
“Gjyqi im si në 1946, çoi prokuroria një person ne gjyq, i tha gjykata ku janë provat ? Provat i tha prokurori-gjyqtares ? Hape pak penxheren, hapi penxheren gjyqtarja pa turma njerëzish aty thirrnin kriminel kriminel, kështu dhe SPAK”, u shpreh ai.
Gjykata i lë kohë mbrojtësve dhe të pandehurit Ilir Beqaj për të dëgjuar audiot e seancës paraprake dhe shtyu seancën në datë 3 shkurt, ora 12.00.


