Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të tre personave, mes tyre edhe Agim Ismaili, ish drejtor i Burgjeve në lidhje me hakerimin e email-eve të prokurorëve të SPAK.
SPAK po ashtu ka zbardhur skemën sesi janë marrë të dhënat dhe më pas janë shpërndarë tek personat e tjerë.
Prokuroria e Posaçme sqaron se i pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.
Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj SPAK thotë se u identifikuan në një kohë të shpejtë brenda 24 orësh dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.
Ndërkohë si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.


